Tentoi të kontrabandonte mallra të ndryshme në Shqipëri, vihet në pranga 58-vjeçari në Kakavijë
Një 58-vjeçar nga Tirana është arrestuar nga shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, pasi tentoi të kontrabandonte në territorin shqiptar mallra të ndryshme, mes tyre dhjetëra steka me cigare dhe produkte ushqimore pa fatura shoqëruese.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi automjetin me të cilin udhëtonte dhe mallrat e destinuara për tregtim të paligjshëm.
Njoftimi i policisë:
Sekuestrohen automjeti që drejtonte 58-vjeçari dhe mallrat.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavije, në vijim të punës për goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut, kanë kaluar për kontroll në vijë të dytë, në hyrje të RSh-së, automjetin me drejtues shtetasin H. M.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan mallra (dhjetëra steka me cigare, produkte mishi dhe produkte të tjera), pa fatura shoqëruese, të cilat ky shtetas tentoi t’i kontrabandonte në Shqipëri, për t’i shitur.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin H. M., 58 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm ngadetyrimet doganore ose të akcizës" dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

