Dosja ‘’Partizani’/ Malltezi paraqitet në GJKKO
Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi është paraqitur në GJKKO për seancën e radhës për dosjen ''Partizani''.
Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) zhvillohet sot seanca në themel për dosjen e njohur si “Partizani”, ku i pandehur është kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Në këtë çështje janë të pandehur gjithsej pesë persona: ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, biznesmeni Fatmir Bektashi, si dhe Andia Pustina dhe Xhimi Begeja.
Çështja do të gjykohet nga magjistratja Elsa Ulliri, e cila u përzgjodh pas hedhjes së shortit.
Anëtarë të trupës gjykuese janë Bib Ndreca dhe Rudina Palloi.
Prokuroria ka ngritur ndaj Berishës akuzën për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa ndaj Jamarbër Malltezit rëndojnë akuzat për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Tre të pandehurit e tjerë, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina, akuzohen për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”, lidhur me veprimtarinë e kompanisë “Homeplan”.
