Akuza penale kryeprokurores së New York-ut/ Hapet çështja ndaj Letitia James për mashtrim bankar
Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, është akuzuar për mashtrim bankar dhe deklarata të rreme lidhur me një kredi hipotekore. Ajo i cilëson akuzat si hakmarrje politike nga Presidenti Trump.
Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, është akuzuar penalisht nga një juri federale në Virxhinia për mashtrim bankar dhe dhënie deklaratash të rreme ndaj një institucioni financiar, lidhur me blerjen e një prone.
Sipas aktakuzës, James ka siguruar një kredi hipotekore për një shtëpi me tre dhoma gjumi në Norfolk, duke deklaruar se ajo do të shërbente si rezidenca e saj e dytë.
Por hetuesit pretendojnë se prona nuk është përdorur kurrë nga James, por është dhënë me qira një familjeje, në kundërshtim me termat e kredisë që ndalonin përdorimin si pronë investimi.
Nëse shpallet fajtore, James përballet me deri në 30 vite burg dhe një gjobë deri në 1 milion dollarë për çdo akuzë.
Akuzat vijnë në një kohë kur James është e njohur për rolin e saj si udhëheqëse e çështjes civile kundër presidentit Donald Trump, në të cilën ai u shpall përgjegjës për falsifikim dokumentesh financiare, një rast që u shoqërua me gjobë fillestare prej 500 milionë dollarësh, e më pas e reduktuar nga një gjykatë apeli.
Në një deklaratë publike, James e quajti këtë çështje një akt të qartë hakmarrjeje politike të nxitur nga Presidenti Trump.
“Ai po e përdor drejtësinë për t'u hakmarrë ndaj atyre që e kanëshpalluar fajtor. Akuzat janë të pabaza, dhe deklaratat publike të presidentit tregojnë se qëllimi i tij i vetëm është ndëshkimi politik”, u shpreh James.
Çështja është marrë në dorë nga Lindsey Halligan, e cila më parë ka shërbyer si avokate personale e Donald Trump. Ajo u emërua pasi prokurori i mëparshëm, Erik Siebert, refuzoi të ngrejë akuza, duke deklaruar se nuk kishte prova të mjaftueshme.
“Askush nuk është mbi ligjin. Faktet dhe ligji në këtë çështje janë të qarta, dhe ne do të ndjekim drejtësinë me vendosmëri.” Tha Halligan në një deklaratë për shtyp.
Seanca e parë gjyqësore për Letitia James është caktuar më 24 tetor 2025 në Gjykatën Federale të Norfolk-ut.

