Forumi “InnoVision 2025”, teknologjia dhe inovacioni gjuhë e përbashkët mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së

Forumi Ndërkombëtar InnoVision 2025, organizuar nga Korporata e Investimeve Shqiptare dhe Durana Tech Park, u zhvillua sot në Tiranë, si një ngjarje që i paraprin Forumit të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor (EU–WB6), që çelet më 13 tetor, duke sjellë në një tryezë të përbashkët vendimmarrës, drejtues biznesesh, akademikë dhe inovatorë nga rajoni dhe më gjerë.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj u shpreh se “InnoVision 2025” shënon një hap të rëndësishëm në drejtim të bashkëpunimit ndërkufitar, ndërveprimit të aktorëve të sektorit publik dhe privat, si dhe krijimit të një ekosistemi rajonal të inovacionit në përputhje me axhendën evropiane të transformimit digjital.
Ky forum që synon të formësojë të ardhmen e teknologjisë dhe parqeve të inovacionit në Ballkanin Perëndimor, duke u bazuar në modelet më të avancuara të Bashkimit Evropian në fushën e politikave të inovacionit, teknologjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Në fjalën e saj, zëvendësministrja e Arsimit, Ana Kapaj, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe harmonizimit me standardet e BE-së.
“Sot bëhemi bashkë për të mbështetur teknologjinë dhe inovacionin si gjuhë të përbashkët mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Ballkani është gati të kontribuojë fuqimisht në të ardhmen evropiane”, tha ajo.
Kapaj vuri në dukje se për Shqipërinë, inovacioni është një prioritet strategjik, tashmë i konkretizuar me krijimin e Parkut Teknologjik të Duranës – një hapësirë që nxit zhvillimin e risive, mbështet të rinjtë, fuqizon ekonominë dhe afron vendin me tregjet ndërkombëtare të teknologjisë.
“Inovacioni fillon në klasat e shkollave dhe zhvillohet përmes kërkimit dhe edukimit të vazhdueshëm. Jemi të përqendruar në përmirësimin e kurrikulave dhe në nxitjen e mësimit gjatë gjithë jetës, që studentët dhe profesionistët e rinj të kenë mjetet e duhura për sukses,” u shpreh ajo.
Durana Tech Park, sipas saj, është tashmë një qendër rajonale e gjallë, ku takohen mundësitë, kërkimi shkencor dhe ndërmarrësia, duke e kthyer idenë në zhvillim konkret dhe ndikim ekonomik.
“Ministria e Arsimit vijon të investojë në programe për të rinjtë, që t’i përgatisë ata për një ekonomi moderne, të integruar në tregjet globale dhe të mbështetur mbi teknologjinë dhe inovacionin”, deklaroi Kapaj.
Diskutimet dhe rezultatet e këtij forumi do të shërbejnë si rekomandime për Forumin e Investimeve EU-WB, i cili do të zhvillohet në Tiranë më 13 tetor 2025.
Forumi ka dy panele diskutimesh:
Paneli I – Ekosistemet e Inovacionit & Parqet Teknologjike: 5 parqe teknologjike nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian.
Paneli II – Arsimi, Inovacioni & Aftësitë për të Ardhmen: Tre kompani ndërkombëtare dhe tre universitete globale do të trajtojnë të ardhmen e aftësive dhe përgatitjen e fuqisë punëtore në epokën digjitale.

