DOSJA “BANKERS”/ 3.9 mln euro dëm ndaj shtetit, nën hetim katër kompani konsulence dhe auditimi

Mirgen Dervishi, Shoqëria “Aksent L&BC” Business Corporate Tax Consulting dhe PKF Albania dyshohet se janë kompani të përfshira në dosjen “Bankers” për të cilën prokuroria thotë nga këto 4 subjekte buxheti i shtetit është dëmtuar në vlerën prej 397 milionë ose 3.9 milionë euro.

Shoqëria “Aksent L&BC”, me administrator Endri Puka ka një aktivitet  të dyshimte dhe faturime të larta për shërbime të paqarta. Shoqëria “Aksent L&BC” sh.p.k, ka faturuar një shumë të konsiderueshme prej 142,067,629 leke, në periudhën 2023-2024 për shoqërinë “Bankers Petroleum Albania Ltd”.

Shërbimet e ofruara nuk janë të qarta, ndërsa mungesa e dokumentacionit të detajuar për aktivitetin e tyre përforcon dyshimet për faturime fiktive.

Kjo shoqëri, gjithashtu ka 6 punonjës të deklaruar, një numër që nuk është në përputhje me vlerën e faturimeve të realizuara, duke rritur dyshimet për përdorimin e këtij subjekti për faturime fiktive.

Shoqëria “Business Corporate Tax Consulting” sh.p.k, me administrator z. Andi Shyti është subjekt pasiv pas faturimeve fiktive.

Një tjetër rast që ngre dyshime të forta është aktiviteti i shoqërisë “Business Corporate Tax Consulting” sh.p.k, i cili ka faturuar 60,720,000 lekë për periudhën 2023-2024, shoqërisë “Bankers Petroleum Albania Ltd” duke pasur një strukturë të pamjaftueshme dhe duke kaluar me status pasiv me 27.12.2024, pas faturimeve te dyshimta.

Shoqëria “PKF Albania” sh.p.k me administrator z. Taulant Asllani- faturime me vlera jo reale. Kjo shoqëri, edhe pse është një subjekt që ka pretenduar shërbime të auditimit dhe konsulencës financiare, vlerat e faturuara vetëm në dy fatura kanë ngritur dyshime për fryrjen e faturave dhe përdorimin e këtij subjekti për qëllime të tjera të paligjshme.

Shuma e faturuar nga “PKF Albania” për periudhën 2023-2024 është 67,140,000 leke (2 fatura). “Mirgen Dervishi” me NIPT M12123034E, është subjekt i  çregjistruar pas faturimeve fiktive.

Në periudhën 2023-2024, ai ka përfituar nga shoqëria Bankers Petroleum Albania Ltd* shumën prej 393,180,000 lekë.

Nga verifikimi i listë-pagesave rezulton se, numri i punonjësve të deklaruar nga subjekti nuk ka ndryshuar as pas rritjes së xhiros, duke mbetur i njëjtë me periudhën kur xhiroja ishte rreth 10 milionë lekë në vit.

Ky kombinim faktesh përforcon dyshimin për përdorim të subjektit për qëllime të faturimit fiktiv.