Djathë francez me bakter të rrezikshëm! Shqiptarët konsumuan produktin e me listerinë. AKU, në gjumë!

Jo vetëm produkte të vendit, por konsumatorëve shqiptarë u janë shitur edhe mallra ushqimore importi të rrezikshme për Shëndetin. Ora Investigim, ka konfirmuar tregimin e një sasie djathi francez me përmbajtje të një bakteri të rrezikshëm.

Jo vetëm te produktet shqiptare mund të konstatohen problematika, por edhe tek ushqime të prodhuara në shtete që kanë një siguri të lartë ushqimore, siç është Franca.

Një bakter tejet i rrezikshëm është zbuluar në djathin e butë francez “Französischer Weichkäse”, i cili prodhohet nga qumësht i pasterizuar.

Alarmin për praninë e bakterit “Listeria Monocytogenes” në djathë e kanë konfirmuar autoritetet gjermane pas analizave te  kryera.

Ky djathë në vendin tonë është importuar nga subjekti “INITALY RISTO & GUSTO”.

Bakteri Listeria është shumë i rrezikshëm për gratë shtatzëna, foshnjat , të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar, pasi mund të shkaktojë infeksion në gjak, infeksion në tru dhe të palcës kurrizore.

Ndërsa simptomat tek personat e shëndetshëm janë: ethe, dhimbje muskujsh, lodhje e përgjithshme dhe diarre.

Televizioni “Ora News” në lidhje me këtë rast i ka kërkuar informacion edhe AKU.

Ky institucion na bën me dije se pas njoftimit të marrë nga autoritetet gjermane kanë dalë në terren për të bërë bllokimin e produktit dhe asgjësimin e tij.

Inspektoret e AKU nuk kanë mundur të bllokojnë produktin, sepse e gjithë sasia e importuar në vendin tonë ka rezultuar e shitur.