Kremlini: Procesi i negociatave në Stamboll për konfliktin në Ukrainën është “në pritje”

Kremlini ka akuzuar udhëheqjen ukrainase për ndërprerjen e procesit të negociatave në Stamboll për një zgjidhje të mundshme paqësore.
“Negociatat në Stamboll janë pezulluar për shkak të mosgatishmërisë së Kievit për t’iu përgjigjur pyetjeve që kemi bërë”, tha sot zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Ai po fliste me Pavel Sarubin, një korrespondent për televizionin shtetëror rus i cili është afër Kremlinit.
Gjatë një interviste, Peskov tha se Ukraina nuk i ishte përgjigjur një draftdokumenti që përfshinte një propozim për ngritjen e tre grupeve të punës.
Ai tha se pala ruse ishte optimiste në lidhje me frymën e takimit në Anchorage – duke iu referuar samitit të mbajtur midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump në Alaskë në gusht.
Takimi nuk dha ndonjë rezultat të prekshëm në lidhje me përfundimin e konfliktit Rusi-Ukrainë.
Peskov tha se Kievi nuk po kontribuonte pozitivisht në proces, por Moska shpresonte që Trump do të ruante vullnetin politik për një zgjidhje paqësore.
Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës më shumë se tre vjet e gjysmë më parë.
Delegacionet nga Moska dhe Kievi janë takuar disa herë – që nga maji për negociata të drejtpërdrejta – në qytetin turk, Stamboll.
Palët kanë rënë dakord për disa shkëmbime të të burgosurve dhe trupave të ushtarëve, por Moska ka refuzuar të bëjë lëshime për kërkesat e saj kryesore dhe duket se nuk ka perspektivë për një marrëveshje paqeje në të ardhmen e afërt.

