Gruaja u gjet pajetë në një plazh në Holandë, identifikohet pas 21 vitesh

Një grua, trupi i së cilës u gjet në një plazh në Holandë në vitin 2004, është identifikuar pas 21 vitesh, falë një fushate ndërkombëtare policore të quajtur operacioni “Më identifiko” (Operation Identify Me).

Ajo u identifikua si Eva Maria Pommer, një shtetase gjermane 35-vjeçare, pasi policia holandeze mori një informacion të rëndësishëm.

Shkaku i vdekjes së saj mbetet ende i paqartë dhe hetimet po vazhdojnë.

Operacioni “Më identifiko”, i nisur në vitin 2023, ka për qëllim të identifikojë gratë e vrara ose që kanë vdekur në rrethana të dyshimta në gjashtë vende evropiane.

Trupi i Eva Maria Pommer u gjet në një zonë dunash pranë qytetit Wassenaar në korrik të vitit 2004. Ajo nuk kishte shenja të dukshme dhune. Ishte veshur me geta me kuadrate kafe dhe këpucë të kuqe me shkëlqim, veshje e pazakontë për një shëtitje në plazh.

Ajo mbante me vete një çelës, por nuk u arrit të gjendej adresa e saktë. Për këtë arsye, identiteti i saj mbeti mister për dy dekada.

Rasti u bë pjesë e operacionit “Më identifiko” vitin e kaluar, ku për herë të parë Interpol publikoi të ashtuquajturat “njoftime të zeza” për trupa të paidentifikuar, dhe ndau të dhëna si gjurmët e gishtave me policitë ndërkombëtare.

Pas një apeli në një emision televiziv gjerman, policia holandeze mori një informacion të rëndësishëm për një grua gjermane, që kishte humbur prej 20 vitesh. Kjo çoi në hetime të shpejta në Bottrop dhe analiza e ADN-së konfirmoi identitetin e saj./BBC/