International Dance Festival Tirana, performancë e hapur për publikun të enjten në sheshin “Skënderbej”

International Dance Festival Tirana zbuloi për artdashësit lokacionet e këtij aktiviteti artistik, i cili do të zgjasë nga data 9 deri më 25 tetor.

Kjo është java e parë e edicionit të 4-t këtij festivali danci nën drejtimin artistik të një prej artistëve më të famshëm shqiptarë në arenën ndërkombëtare, Angelin Preljocajt.

Përgjatë këtij festivali do të mund të ndiqen krijimet më të fundit të mbi 13 koreografëve e kompanive ndërkombëtare gjatë 3 javëve. Programi hapet me 4 performanca publike në qytet dhe 5 shfaqje në skenat e Teatrit Metropol dhe Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Në datën 9, do të performohet në Qendrën Komunitare “Të qëndrojmë së bashku” dhe pasditen e kësaj dite, do të performohet në sheshin Skënderbej. Të dyja performancat do të jenë të hapura për publikun.

Në datën 10 tetor, performancat do të zhvendosen tek Pazari i Ri dhe tek Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës. Data 11 tetor vjen me 3 performanca në Teatrin Metropol, në orët e paradites, ndërsa në darkë artistët performojnë në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit, me “Puls” (Triple Bill) nga Jiri Kylian, Robert North dhe Edi Blloshmi. E njëjta performancë do të shfaqet dy netë rresht në TKOB.

Edicioni i 4-t i International Dance Festival Tirana do të zhvillohet në 11 skena ku do të ofrojë 15 premiera, 9 aktivitete publike falas dhe masterclass-e që e lidhin festivalin me gjithë qytetin. Ky festival realizohet me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes EU4Culture dhe sjell në Tiranë emra të konsoliduar të kërcimit bashkëkohor krah një brezi të ri koreografësh, duke vënë në dialog gjuhë të ndryshme artistike.