“Tate Britain” - Lee Miller rikthehet në qendër të vëmendjes me një ekspozitë madhështore
Një nga figurat më magjepsëse dhe komplekse të artit të shekullit XX, Lee Miller, po rikthehet fuqishëm në skenën ndërkombëtare përmes një retrospektive të veçantë në “Tate Britain”.
Ekspozita zbulon gamën e jashtëzakonshme të punës së saj, nga moda dhe surrealizmi, te fotoreportazhet tronditëse të Luftës së Dytë Botërore.

Në moshën 20-vjeçare, Miller u bë yll i “Vogue”, përpara se të hynte në botën e artit si asistente dhe partnere e Man Ray në Paris. Së bashku, ata krijuan teknikën novatore të solarizimit, ndërsa ajo vetë hapi më pas studion e saj, duke kaluar nga objektivi i kamerës në autore të imazheve më të fuqishme të kohës.
“Do të preferoja të bëja një fotografi sesa të isha një e tillë”, kishte thënë me humor Miller, e cila në vitet ’40 u bë korrespondente lufte për revistën “Vogue”, duke dokumentuar pasojat e tmerrshme të luftës në Evropë, përfshirë kampet naziste të “Dachau” dhe “Buchenwald”.
Kuratorja e ekspozitës, Hilary Floe, e përshkruan Miller si një artiste me “ndërtim dhe inteligjencë të veçantë” që kapte “detaje urgjente dhe elokuente” edhe në mes të kaosit.
Fotot e saj mbeten dëshmi e guximit dhe empatisë së jashtëzakonshme që ajo tregoi në kushte ekstreme.

Ekspozita ndalet edhe tek jeta personale e Miller, e cila, siç tregon i biri Antony Penrose, mbante plagë të thella nga abuzimi në fëmijëri dhe nga traumat e luftës, plagë që ndikuan thellë në artin dhe ndjeshmërinë e saj.
Sot, Penrose dhe vajza e tij janë kujdestarë të Arkivave të Lee Miller dhe udhëheqin ekspozitat në “Farleys House & Gallery”, ku ruhen veprat e saj dhe të miqve si Man Ray dhe Picasso.
Ekspozita “Lee Miller” në Tate Britain, Londër, do të jetë e hapur deri më 15 shkurt 2026, ndërsa punët e saj do të shfaqen edhe në “The Polygon”, “Vancouver” dhe në “Farleys House”, “East Sussex”.
Miller mbetet një figurë frymëzuese që sfidoi kufijtë e kohës së saj, një grua që përmes objektivit të kamerës, dokumentoi realitetin pa frikë dhe pa kompromis.

