Projektligj për rezerva strategjike të naftës, autoritet i posaçëm menaxhimi
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nxori për konsultim publik projektligjin për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj, një masë kyçe për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji në vend.
Projektligji përcakton krijimin e një autoriteti të posaçëm përgjegjës për menaxhimin e rezervave, të cilat do të përdoren në rast të reduktimit të papritur ose mungesës së furnizimit në treg.
“Autoriteti për Rezervën e Sigurisë (ARS) është struktura përgjegjëse për krijimin, mbajtjen dhe përdorimin e rezervave të sigurisë. ARS është entitet publik, i cili autorizohet për të blerë, shitur, magazinuar dhe menaxhuar përdorimin rezervës së sigurisë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj për qëllime të këtij ligji për Republikën e Shqipërisë ose me delegim”, thuhet në projektligj.
Sasia minimale e rezervave do të jetë të paktën 90 ditë e importeve mesatare ditore neto ose 61 ditë e konsumit të brendshëm, sipas sasive më të mëdha.
Financimi i sistemit të rezervave të sigurisë do të realizohet përmes tarifave mbi produktet hidrokarbure, të ardhurave nga shitja e rezervave, shërbimeve të autoritetit dhe burimeve të tjera të ligjshme.
Drafti transpozon në legjislacionin shqiptar Direktivën 2009/119/EC të Parlamentit dhe Këshillit Evropian, në bashkëpunim me ekspertët e Komunitetit të Energjisë. Autoriteti për rezervat e sigurisë do të ketë kompetenca për blerjen, magazinimin dhe përdorimin e rezervave të naftës dhe nënprodukteve të saj, përfshirë mundësinë e delegimit të menaxhimit edhe në vende të Bashkimit Europian.
Drafti parashikon një tarifë që do të paguhet për rezervat. Arkëtimi i kësaj pagese bëhet nga Autoriteti Doganor gjatë mbledhjes së detyrimit doganor të mallrave me akcizë.
Projektligji parashikon gjoba nga 2 milionë lekë deri në 10 milionë lekë ndaj operatorëve për shkeljet që lidhen me përdorimin e rezervave të detyrueshme pa autorizim, kur përdorin rezervat e detyrueshme si garanci, kolateral, apo mjet sigurimi për palë të treta, si dhe kur rezervat nuk plotësojnë standardet e cilësisë, apo nuk zbatohen masat e Planit Kombëtar të Reagimit.
Në rast përsëritjeje të shkeljeve personit juridik mund t’i vendoset ndalim deri në 1 vit për ushtrimin e aktivitetit ose profesionit.
Projektligji synon të harmonizojë kuadrin ligjor vendas me standardet europiane dhe të krijojë një sistem efikas për mbrojtjen e furnizimit të vendit me naftë dhe produkte të saj strategjike.

