Gjiknuri: Të adresohet depolitizimi i administratës zgjedhore dhe votimi i personave me aftësi të kufizuara
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi raportoi sot për veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2024 në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike me Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Nënkryetari i komisionit, Damian Gjiknuri, duke iu referuar raporteve të monitorimit për punën e KQZ-së tha se “nga raportet e monitorimit thuhet se Administrata Zgjedhore ka organizuar zgjedhje të mirëpërgatitura nga ana administrative, teknike, transparencës dhe gjithëpërfshirëse, kuptohet me doza të politizimit që i ka organi i KQZ-së. Ky është certifikimi më i mirë”.
Gjiknuri vlerësoi gjithashtu edhe punën e KQZ-së për përgatitjen dhe realizimin në kohë të votimit të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit, e cila u mundësua për herë të parë në Shqipëri.
“Nga raporti del se janë një numër masash, aktesh dhe buxhete të shpenzuara, për të adresuar gjëra themelore siç ishte dhe për mua sfida themelore që kishte KQZ në 2024, por edhe në 2025, përgatitja e infrastrukturës zgjedhore për zgjedhjet e 2025, siç ishte dhe sfida për përgatitjen e sistemit për regjistrimin e diasporës nga jashtë vendit për të votuar dhe gjithë ajo sfidë logjistike sa i përket ushtrimit të së drejtës së votimit nga jashtë, që pavarësisht problemeve që ka pasur, pasi u zbatua për herë të parë, ishte transparente efikase dhe u mundësoi për herë të parë shqiptarëve jashtë vendit që të votojnë. Për mua ishte sfida kryesore dhe që e kishim merak nëse do realizohej në kohë, por që KQZ e realizoi këtë proces dhe mendoj se meriton përgëzime”, tha Gjiknuri.
Duke folur për rekomandimet e bëra nga Kuvendi lidhur me punën e KQZ-së, në fjalën e tij Gjiknuri u ndal edhe tek raportimet financiare të partive politike si dhe problemet me auditimin e tyre.
Kjo sipas Gjiknurit vjen “edhe nga fluksi i partive që mbijnë si kërpudha para zgjedhjeve”.
“Duhet ta adresojmë më Komisionin e ardhshëm për Reformën Zgjedhore aspektet e transparencës financiare dhe detyrimet për raportet nga partitë politike. S’mund të jetë parti një që mban vulën politike dhe qëndron aty dhe nuk ka peshë elektorale, shteti shqiptar shpenzon për ty, t’i duhet të kesh detyrimin dhe për ato pak para që merr për të raportuar. Kjo duhet të adresohet, realisht është problem”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri foli edhe për depolitizimin e administratës zgjedhore. Ai tha se faji në këtë rast bie mbi partitë dhe Kuvendin për shkak se nuk kanë marrë masat e duhura për ta adresuar këtë problematikë të kahershme dhe të përmendur vazhdimisht nga OSBE/ODIHR.
“Rekomandimi tjetër është që KQZ duhet të marrë masa në lidhje me garantimin e qëndrueshmërisë të administratës zgjedhore duke rishikuar sistemin e emërimit të anëtarëve dhe sekretarëve të nivelit të ulët. Rekomandim pjesërisht i zbatuar. Kjo në fakt vjen edhe për shkak të specifikave që kemi ne, që ka qenë kritikë e kahershme e misioneve ndërkombëtare, sidomos e OSBE/ODIHR, që Shqipëria ka akoma një sistem të emërimit partiak të emërimit të komisionerëve. Një nga synimet që kemi pasur edhe në reformën e kaluar zgjedhore, ka qenë depolitizimi i administratës dhe kthimi i një trupe profesionale për menaxhimin e zgjedhjeve. Ka pasur përpjekje të mira. Nuk kemi pse kritikojmë KQZ për një gjë s’e ka në dorë. Kjo është një gjë për t’u parë në reformën e ardhshme zgjedhore dhe shpresoj se opozita do ta mirëpresë idenë që të shkojmë drejt trupave profesioniste, për administrimin e zgjedhjeve”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri u ndal dhe tek aksesueshmëria e personave me aftësi të kufizuar në qendrat e votimit. Ai tha se është paradoks që janë harxhuar miliona për të mundësuar votën e diasporës, ndërkohë që nuk është bërë asgjë për këta që jetojnë brenda Shqipërisë, dhe që nuk mund të dalin dot për të votuar në ditën e votimit.
“Ironia më e madhe në sistemin shqiptar është që ne bërtasim për të drejtat e shqiptarëve të diasporës, por harrojmë se kemi deri në 50 mijë shqiptarë, të cilët nuk dalin dot nga shtëpitë, janë me aftësi të kufizuara dhe e kanë të pamundur të votojnë. Kjo është një nga paradokset që do zgjidhje politike”, u shpreh Gjiknuri.

