Presidenti i Madagaskarit emëron Kryeministrin e ri mes protestave masive, demonstratat nuk u ndalën
Presidenti i Madagaskarit, Andriy Rajoelina, ka emëruar sot Gjeneralin e Ushtrisë, Rufino Fortunato Zafisamba, si Kryeministrin e ri të vendit.
Vendimi vjen vetëm një javë pasi kreu i shtetit shpërndau qeverinë në përpjekje për të qetësuar situatën e tensionuar politike dhe shoqërore.
Protestat janë ndezur nga ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike dhe mungesa e ujit, duke u kthyer më pas në një lëvizje të gjerë kundër qeverisë.
Të rinjtë që kanë mbushur rrugët kërkojnë dorëheqjen e presidentit, reformimin e sistemit zgjedhor dhe përmirësimin e shërbimeve bazë.
Autoritetet reaguan ashpër ndaj protestave, duke vendosur shtetrrethim në kryeqytet dhe duke përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome. Megjithëse qeveria u shpërbë me synimin për të ulur tensionet, demonstratat nuk u ndalën.
Një rol të veçantë në këto lëvizje ka marrë brezi i të rinjve të njohur si “Gjenerata Z”, e cila ka tejkaluar kauzën fillestare për energjinë dhe ujin, duke e kthyer protestën në një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj regjimit.
Simbol i kësaj lëvizjeje janë “flamujt piratë” të frymëzuar nga seriali japonez “One Piece”, të përdorur më herët edhe në protesta në vende si Indonezia dhe Nepali.
Demonstratat aktuale janë më të mëdhatë që nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2023.
Pavarësisht pasurive të mëdha natyrore, Madagaskari mbetet një nga vendet më të varfra në botë, ku sipas Bankës Botërore, 75% e popullsisë jetonte nën kufirin e varfërisë në vitin 2022.
Ndërkohë, Transparency International e rendit vendin në vendin e 140-të nga 180 për nivelin e korrupsionit.
