Macron: Do të marr përgjegjësinë, nëse Lecornu dështon për krijimin e qeverisë

Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se ”ishte gati të merrte përgjegjësitë” e tij në rast të një dështimi nga kryeministri në largim, Sebastien Lecornu.

Presidenti i dha Lecornusë 48 orë për të provuar negociatat e minutës së fundit me partitë politike me qëllim formimin e një qeverie të re.

Me këtë mesazh, presidenti duket se po ngre kërcënimin e një shpërbërjeje të re të Asamblesë Kombëtare, pas asaj që çoi në zgjedhje të parakohshme legjislative në verën e vitit 2024.

Sipas Pallatit Elize ”Macron i kishte kërkuar Lecornusë, i cili vazhdon të shërbejë si kryeministër i përkohshëm, të zhvillonte negociata përfundimtare deri të mërkurën në mbrëmje, me qëllim krijimin e një kuadri për të siguruar stabilitetin”.

“Me kërkesë të presidentit, deklarova se jam gati të zhvilloj bisedime përfundimtare me forcat politike për të siguruar stabilitetin e vendit”, shkroi Lecornu në X.

Ai shtoi se ”do ta informonte Macronin të mërkurën në mbrëmje nëse kjo do të ishte e mundur, në mënyrë që ai të mund të nxjerrë të gjitha përfundimet e nevojshme”.

Gazeta ”Le Figaro” raportoi, duke cituar burime pranë presidentit, se Macron do të merrte përgjegjësinë nëse këto negociata përfundimtare dështojnë.