HCR-ja ka humbur më shumë se një të katërtën e stafit këtë vit

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (HCR) është detyruar të shkurtojë më shumë se një të katërtën e stafit të saj që nga fillimi i vitit, për shkak të shkurtimeve të mëdha në financimin e ndihmës ndërkombëtare, deklaroi të hënën Komisioneri i Lartë i saj.

“Pothuajse 5 mijë kolegë të HCR-së e kanë humbur tashmë punën këtë vit”, u shpreh Filippo Grandi në hapjen e mbledhjes vjetore të komitetit ekzekutiv të agjencisë. “Kjo përfaqëson më shumë se një të katërtën e stafit”, shtoi ai, duke paralajmëruar se priten edhe shkurtime të tjera.

Një zëdhënës i HCR-së sqaroi për AFP se këto humbje përfshijnë si punonjës me kohë të plotë, ashtu edhe persona me kontrata të përkohshme ose konsulentë. HCR-ja po përballet me një krizë të madhe: zhvendosjet e refugjatëve në botë po rriten me shpejtësi, ndërsa financimi i ndihmës ndërkombëtare po bie ndjeshëm, veçanërisht pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë këtë vit.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë tradicionalisht dhe me diferencë të madhe, donatori kryesor i shumë agjencive dhe organizatave humanitare. Thuajse brenda natës ato u përballën me një boshllëk të madh buxhetor dhe me pak zgjidhje për ta mbuluar atë.

Shkurtimet e bëra nga Uashingtoni, që më parë siguronte mbi 40% të buxhetit të HCR-së, të kombinuara me kufizime buxhetore në vende të tjera të mëdha donatore, e kanë vendosur agjencinë në një situatë kritike, pranoi Grandi.

“Shifrat janë të zymta”, tha ai. Buxheti 2025 i HCR-së, i miratuar nga shtetet, arrin në 10,6 miliardë dollarë, por vitet e fundit agjencia ka marrë vetëm rreth gjysmën e nevojave të saj buxhetore, pra rreth 5 miliardë dollarë në vit, sqaroi ai.

Zyrtari i lartë i OKB-së tha se agjencia ishte përgatitur për një ulje prej 10% të kontributeve të pritshme këtë vit, por situata është “dukshëm më e keqe”.

“Në gjendjen aktuale, ne parashikojmë ta mbyllim vitin 2025 me 3,9 miliardë dollarë fonde të disponueshme, një ulje prej 1,3 miliardë dollarësh krahasuar me vitin 2024, ose rreth 25% më pak”, paralajmëroi ai. Herën e fundit që HCR-ja kishte më pak se 4 miliardë dollarë ishte në vitin 2015, por atëherë numri i personave të zhvendosur në botë ishte gjysma e atij të sotëm, theksoi ai.

“Asnjë vend, asnjë sektor, asnjë partner nuk është kursyer”, tha ai, duke nënvizuar se ndikimi është “shkatërrues”, me disa programe thelbësore që janë detyruar të ndalen, përfshirë mbështetjen psikosociale për të mbijetuarit e torturës ose ndihmën ushqimore. “Kjo është ajo që ndodh kur ju ulni financimin me mbi një miliard dollarë brenda pak javësh”, denoncoi Komisioneri i Lartë, mandati i të cilit përfundon në fund të vitit.