Analiza e Politico: Marine Le Pen përgatitet për garë, Macron i mbarojnë opsionet pas dorëheqjes së tretë të qeverisë brenda vitit
“Marine Le Pen tashmë ka rrëzuar dy qeveri brenda më pak se një viti dhe duket se edhe e treta u mbyll pa nevojën për “të shtënë”, shkruan Politico.
Liderja e Rassemblement National u shfaq e triumfueshme të hënën, pas dështimit të ri të Emmanuel Macron, dorëheqjes së kryeministrit Sébastien Lecornu, e cila shënon një tjetër përpjekje të dështuar për të formuar një qeveri që do ta nxirrte Francën nga kriza politike dhe ekonomike. Kampi presidencial është tani në shpërbërje të plotë, ndërsa bashkëpunëtorët e Le Pen, me në krye Jordan Bardella, po veprojnë si në fushatë elektorale.
“Jemi gati të qeverisim”, deklaroi kreu i Rassemblement National, duke dalë nga një takim i lartë me Le Pen në selinë e partisë në Paris. Ai i bëri thirrje Macronit “të rrëzojë Kuvendin tani”, duke shtuar se “shaka ka marrë fund, farsëja zgjati mjaft”.
Dorëheqja e kryeministrit Sébastien Lecornu, vetëm një ditë pas formimit të qeverisë, shënon dështimin e tretë për Macron brenda një viti. Që kur ai shpalli zgjedhjet e parakohshme të 2024, një lëvizje që prodhoi një parlament pa shumicë, Franca ka ngecur në një bllokim të zgjatur.
Forcat qendrore të presidentit mbajnë vetëm rreth një të tretën e vendeve, ndërsa e Majta dhe e Djathta ekstreme, që përbëjnë dy të tretat, tërhiqen në drejtime të kundërta, duke bllokuar çdo nisme qeveritare.
“Presim tani shpërbërjen e Asamblesë Kombëtare”, tha një këshilltar i lartë i Le Pen. Sipas burimeve, në mbledhjen e brendshme të djeshme u diskutuan detaje të strategjisë parazgjedhore, me fokus ndarjen e rajoneve, posterave dhe kandidatëve.
Sondazhet i japin Rassemblement National një avantazh prej 33–34%, thuajse dyfishin e partisë së Macronit, e cila ka rënë tani në vendin e tretë, pas Majtës. Edhe nëse presidenti mund të përpiqet të vonojë zgjedhjet, ndoshta duke emëruar një kryeminist nga spektri progresiv, presioni për të u rikthyer në kutitë e votimit po rritet.
Për Le Pen, një garë e re zgjedhore do të jetë edhe një provë personale: ajo vuan një ndalim pesëvjeçar për pjesëmarrje në zgjedhje pas dënimit për keqpërdorim të fondeve europiane. Megjithatë, ajo ka deklaruar se kjo vendim „nuk do të përbëjë pengesë“ për strategjinë e partisë.
Bashkëpunëtorët e Le Pen po përpiqen të zhdukin çdo ndasi të brendshme, sidomos në çështjet e politikës ekonomike. Disa figura nga gardhi i vjetër mbrojnë linjën populiste dhe mbrojtëse në favor të punëtorëve, ndërsa Bardella propozon një qasje më liberale, pro-tregu.
“U thanë gjëra në televizon që nuk përputhen me linjën tonë”, pranoi një zyrtar i lartë i partisë, duke iu referuar deklaratave të pakoordinuara të deputetëve mbi taksimin e fitimeve kapital. “Të shohësh vendin tonë në ankth nuk është një mundësi e artë; është përmbushja e një profecie”, komentoi deputeti Jean-Philippe Tanguy, një nga besnikët më të ngushtë të Le Pen.
Le Pen sulmoi ashpër edhe Republikanët dhe Socialistët, duke i akuzuar se “po shkatërrojnë kredibilitetin e tyre dhe po zhytin Francën në kaos”.
E përparimi i Rassemblement National po shkakton shqetësim të madh në Bruksel, pasi e djathta ekstreme po forcohet në mbarë Europën.
Bardella, i konsideruar tashmë favorit për postin e kryeministrit në rast se partia fiton shumicën absolute, deklaroi nga Strasburgu pas takimit me Le Pen: “Franca po çlirohet nga ‘makronizmi’; erdhi koha të prishim edhe me Europën e Macronit”, shkroi ai në X.
