DETAJE të reja/ Tentoi t’u ikte 'Shqiponjave', 31-vjeçari i rrezikshëm që përplasi 9 makina, pjesë e grupit të Marklen Hakës

Ky është 31-vjeçari Imer Krrashi, i cili tentoi t’i shpëtojë policisë gjatë një kontrolli pas informacioneve se ky shtetas qarkullonte me armë zjarri pa leje.

Krrashi përfundoi në prangat e bluve të kryeqytetit, ndërsa të dëmtuar mbetën 9 automjete dhe 1 motor.

Drejtuesi i motoçikletës, një punonjës policie jashtë shërbimit, po udhëtonte së bashku me bashkëshorten nga Liqeni Thatë në drejtim të zonës së Teg-ut, kur u përplas nga Krrashi dhe për pasojë përfundoi përpara një tjetër mjeti që u përfshi në aksident.

Shkak për aksidentimin e 9 automjeteve dhe të motorit, u bë refuzimi nga ana e 31-vjeçarit për t’iu nënshtruar kontrollit.

‘Në momentin që drejtuesi i automjetit është njohur me urdhrin e Policisë, ka refuzuar urdhrin për kontroll dhe është larguar me shpejtësi të madhe, duke rrezikuar punonjësit e Policisë që ishin duke komunikuar me të’, thuhet në njoftimin e Policisë.

Dy të lënduarit ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

31-vjeçarit iu gjet në makinë arma për të cilën forcat Shqiponja kishin dyshime, që në momentin që e ndaluan.

Imer Krrashi, rezulton person me precedent të theksuar kriminal dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndërsa është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, për veprime të mëtejshme procedurale.

31-vjeçari, Imer Krrashi më herët quhej Imer Masha nga Kruja dhe dyshohet se është pjesë e grupit të Marklen Hakës.

Njoftimi

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të punës për kontrollin e territorit dhe të personave që mund të qarkullojnë me armë zjarri apo të transportojnë lëndë narkotike, bazuar edhe në informacionin e marrë në rrugë operative se një automjet po lëvizte në unazë, në drejtim të TEG-ut, dhe drejtuesi i automjetit mund të ishte i armatosur, rreth orës 12:30, tek Liqeni i Thatë, Forca e Posaçme “Shqiponja” i ka bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin I. K., 31 vjeç, pasi kishin marrë informacion se 31-vjeçari qarkullonte me armë zjarri.

Pas ndalimit të automjetit të dyshuar, shërbimet e Policisë i kanë bërë të ditur drejtuesit të automjetit se ndaj tij dhe automjetit do të ushtrohej kontroll. Në momentin që drejtuesi i automjetit është njohur me urdhrin e Policisë, ka refuzuar urdhrin për kontroll dhe është larguar me shpejtësi të madhe, duke rrezikuar punonjësit e Policisë që ishin duke komunikuar me të.

Bazuar në informacionin e marrë se ky shtetas mund të kishte armë me vete, në refuzimin për kontroll nga drejtuesi i automjetit dhe largimin me shpejtësi në drejtim të TEG-ut, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit, i cili, për shkak edhe të trafikut të rënduar, ka përplasur 9 automjete dhe 1 motomjet, në të cilin qarkullonin shtetasit E. R., 52 vjeç (punonjës policie jashtë shërbimit) dhe bashkëshortja e tij, shtetasja O. R., 46 vjeçe, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë, pas një ndjekjeje intensive, bënë të mundur bllokimin e automjetit dhe të drejtuesit të tij, shtetasit I. K, alias I. M, alias I. U.

Gjatë kontrollit të automjetit, punonjësit e Policisë së Forcës së Posaçme “Shqiponja” gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë.

Shtetasi I. K., me precedent të theksuar kriminal dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, për veprime të mëtejshme procedurale.