I armatosuri përplas me makinë disa persona, plagoset rëndë efektivi i policisë dhe bashkëshortja e tij
Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në zonën e Saukut, në Tiranë, ku një person i armatosur ka përplasur me makinë disa persona, mes tyre edhe një efektiv policie dhe bashkëshortja e tij.
Sipas burimeve paraprake, autori dyshohet se mbante armë me vete. Si pasojë e përplasjes, është plagosur një efektiv i policisë dhe bashkëshortja e tij, të cilët janë dërguar me urgjencë në spital.
Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe janë vënë në ndjekje të autorit. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe motivit të këtij akti të rëndë.
"Rreth orës 12:30, tek Liqeni i Thatë, Forca e Posaçme “Shqiponja” i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin I. K., 31 vjeç, pasi kishin marrë informacion se 31-vjeçari qarkullonte me armë zjarri.
Pas ndalimit, në momentin që shërbimet e Policisë i kanë bërë të ditur se ndaj tij dhe automjetit do ushtrohej kontroll, 31-vjeçari ka vijuar lëvizjen me shpejtësi duke perplasur disa automjete dhe 1 motomjet. Si pasojë është dëmtuar drejtuesi dhe pasagjeri në motomjet, të cilët ndodhen në spital.
Pas një ndjekje intensive u bë ndalimi i automjetit. Gjatë kontrollit të automjetit i është gjetur një armë zjarri pistoletë. Infomacion më të detajuar do të jepet në përfundim të veprimeve proceduriale." - njofton policia.
