Aksidentoi me kamion 46-vjeçarin, procedohet penalisht shtetasi maqedonas

Një aksident ka ndodhur në aksin rrugor Shkodër–Lezhë, ku një kamion i drejtuar nga një shtetas 60-vjeçar nga Maqedonia ka përplasur një 46-vjeçar që po lëvizte me biçikletë.

Ky i fundit është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi:

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në aksin rrugor “Shkodër-Lezhë”, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë referuar materialet në Prokurori, ku është nisur procedimi penal për shtetasin maqedonas I. M., 60 vjeç, pasi, duke drejtuar automjetin e tij kamion, ka përplasur shtetasin A. M., 46 vjeç, i cili po lëvizte me biçikletë. Si pasojë, shtetasi A. M., është dëmtuar dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
• arrestuan shtetasit S. B., 49 vjeç, banues në fshatin Bruçaj, dhe E. B., 35 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kapën duke drejtuar automjetet e tyre në gjendje të dehur;
• referuan materialet në Prokurori për njoftim mbi faktin, pasi dje, në sheshin “Prek Cali”, shtetasi G. M., 49 vjeç, banues në Shkodër, duke drejtuar automjetin elektrik të tij, si pasojë e një manovre të gabuar, është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin Xh. B., 58 vjeç, i cili si pasojë mori disa dëmtime të lehta.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.