Repishti: Në Shqipëri, 95% e shërbimeve publike vetëm online
Përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Nevila Repishti, drejtoreshë e e-Albania dhe Enis Ylli, drejtor i Monitorimit dhe Mbrojtjes Kibernetike për Sistemet, morën pjesë në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor në Shkup, ku u mblodhën anëtarë të institucioneve nga Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi etj.
Në panelin “Nga sisteme të ndërlidhura tek qytetarë të ndërlidhur”, Repishti foli për mënyrën se si ndërveprimi ka ndryshuar rrënjësisht ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët dhe bizneset.
Repishti tha se “95% e shërbimeve publike ofrohen vetëm online, 70% e të dhënave në formularët elektronikë plotësohen automatikisht, ndërsa qytetarët dhe bizneset nuk mbledhin më asnjë dokument shoqërues nga institucionet”.
Përfaqësuesja e AKSHI-t theksoi se deri tani janë kryer 1.5 miliardë transaksione online që përkthehet në miliona letra të eliminuara.
“Ndërveprimi nuk është thjesht teknologji, por transformim i jetës së përditshme, ka bërë që të dhënat të lëvizin, jo njerëzit”, tha Repishti, teksa cilësoi se përveç shërbimeve, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e Mbrojtjes së Infrastrukturave Kritike Qeveritare të Informacionit.
Në panelin për sigurinë kibernetike “Qasja rajonale për ndërtimin e një ekosistemi kibernetik të qëndrueshëm”, Ylli theksoi se Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme përmes ngritjes dhe operimit të SOC modern qeveritar, përafrimit ligjor dhe zbatimit të standardeve të BE-së dhe rritjes së kapaciteteve të monitorimit nëpërmjet integrimit të Inteligjencës Artificiale.
“Me investime gjithnjë e më të mëdha në teknologji, rritje kapacitetesh dhe partneritete ndërkombëtare, është ndërtuar një ekosistem digjital më i sigurt dhe për të përballuar sfidat në të ardhmen”, pohoi Ylli.
Edicioni i shtatë i Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor u zhvillua në Shkup i bashkorganizuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), duke konfirmuar angazhimin e rajonit ndaj transformimit digjital, bashkëpunimit dhe integrimit evropian.
