Gjykata e Lartë e Holandës urdhëron rishikimin e eksporteve ushtarake drejt Izraelit

Qeveria holandeze duhet të rishqyrtojë eksportin e pjesëve të këmbimit për avionët luftarakë ”F-35” drejt Izraelit, pas një vendimi sot të Gjykatës më të lartë në vend.

Ndalimi i eksportit, i vendosur vitin e kaluar, mbetet ende në fuqi, bëri të ditur Këshilli i Lartë në Hagë.

Në shkurt të vitit 2024, një gjykatë kishte vendosur që eksportet të ndaleshin për shkak të rrezikut që Izraeli mund të shkelte ligjin ndërkombëtar humanitar duke i përdorur ato në fushatën e tij ushtarake në Rripin e Gazës.

Qeveria ndaloi eksportet, por paraqiti një apel ndaj vendimit.

Tani Këshilli i Lartë e ka rrëzuar vendimin e mëparshëm, duke theksuar se nuk është kompetencë e gjykatës të vendosë për një ndalim eksporti, por përgjegjësi e ministres së Tregtisë së Jashtme.

Ministrja ka tani gjashtë javë kohë për të rishikuar vendimin lidhur me eksportin e pajisjeve ushtarake. Sipas vendimit, duhet të merret parasysh edhe e drejta ndërkombëtare.

Nëse përcaktohet “se ekziston një rrezik i qartë që mallrat e eksportuara do të përdoren për të kryer shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar humanitar”, atëherë miratimi nuk mund të jepet, thuhet në vendim.

Organizata të të drejtave të njeriut dhe të paqes kishin paditur eksportin e pjesëve të këmbimit për avionët “F-35 “drejt Izraelit.

Prodhuesi amerikan i këtyre avionëve ka magazinën e pjesëve për Evropën në Holandë, prej nga furnizohet edhe Izraeli.