Reportazhi i SkyNews: Brenda qytetit të lindjes së Pablo Escobarit, aty ku droga shitet hapur
Në rrugët e Medellin-it në Kolumbi, tregtia e drogës është kaq e hapur sa duket si pjesë e përditshmërisë. Thirrje si “Kokainë! Pilula! Ekstazi!” dëgjohen në çdo cep, ndërsa motoçiklistët rrinë në radhë për të shpërndarë porositë drejt klubeve dhe apartamenteve luksoze, raporton Sky News në një reportazh.
Për vendasit kjo nuk është më as lajm. Është realitet i ditës. Në të njëjtën kohë që shiten lëndë narkotike në rrugë, në të njëjtën zonë njerëzit ulen të darkojnë në restorante apo të festojnë ditëlindje në kafene.
Medellini, qyteti ku dikur sundonte Pablo Escobar, mbetet i lidhur fort me historinë e drogës. Sot, imazhi i tij shfaqet në bluza, postera dhe madje ka edhe muze e guida turistike për të.
Në disa lagje të qytetit, tregtia e drogës bëhet hapur, 24 orë në ditë. Klientët blejnë me makinë, në këmbë apo me porosi në distancë. Tregtarët janë të organizuar me sinjale fishkëllime për të paralajmëruar praninë e policisë, dy fishkëllima gjithçka në rregull, një fishkëllimë rrezik, policia afër.
Kolumbia është një nga prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë, dhe SHBA është tregu më i madh i konsumatorëve. Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur luftë të hapur kundër karteleve të drogës në Amerikën Latine. Ai ka dërguar forca ushtarake në Karaibe, ka sulmuar mjete të dyshuara për trafik droge dhe ka vendosur nën presion vende si Venezuela dhe Kolumbia, duke i konsideruar si “probleme serioze”.
Në Kolumbi, rritja dhe kultivimi i drogës nga e cila nxirret kokaina, nuk është e paligjshme. Bima përdoret edhe për qëllime të tjera tradicionale. Ajo bëhet e paligjshme vetëm kur përpunohet për të prodhuar drogë. Shumë fermerë që e kultivojnë, jetojnë në zona të thella të pyllit tropikal.
