Chivu qetëson Interin: Lautaro e ka partnerin e sulmit gati, Thuram nuk ka dëmtim serioz

Cristian Chivu është gati për një tjetër provë të rëndësishme në stolin e Interit.

Pas pesë fitoreve të premtuara para pauzës së tetorit, objektiv që mund të kompletohet vetëm me suksesin ndaj surprizës Cremonese, trajneri rumun shfaqet i qetë dhe i vendosur.

“Ekipi është në rritje. Kemi gjetur një ekuilibër mes mbrojtjes dhe sulmit.

Gjëja më e rëndësishme është të mos pësojmë gola, sepse kjo do të thotë që jemi të organizuar”, tha Chivu në konferencën për shtyp nga Appiano Gentile.

Marcus Thuram, i cili kishte qenë gjithmonë titullar në këtë fillim sezoni, do të mungojë për shkak të një dëmtimi.

Megjithatë, Chivu qetëson tifozët: “Më vjen keq për këtë problem, por nuk është asgjë e rëndë. Këto ndodhin në sport”.

Në krah të Lautaros pritet të luajë Bonny, i cili mund të bëhet titullari i 21-të i ndryshëm i Interit këtë sezon.

“Herët a vonë do t’i vijë radha. Është një djalë me cilësi të jashtëzakonshme, shumë ndryshe nga mesatarja e futbollistëve.

Ka hyrë gjithmonë mirë në ndeshje dhe është i lumtur për mundësinë që ka pasur duke ardhur këtu”.

Pa të paprekshëm në skuadër

Trajneri nuk pranon konceptin e roleve të garantuara, as për portierët: “Do të luajë ai që shoh më mirë në atë moment.

Nuk ka portier për kampionat dhe një tjetër për Champions. Askush nuk duhet të ndihet i sigurt, sepse vetëm kështu grupi shkon përpara”.

Një tjetër emër që pret hapësirën e vet është Diouf. “Është i fundit që erdhi dhe ka marrë shumë ndihmë nga shokët për t’u integruar. Po rritet dhe do të ketë shanset e tij”, u shpreh Chivu.

Me një Inter më të shpejtë dhe më të fortë fizikisht, falë edhe menaxhimit të kujdesshëm të stafit, Chivu synon që skuadra të vazhdojë në të njëjtën linjë fituese: “Duhet të ngremë gjithmonë nivelin, sepse vetëm kështu vijnë rezultatet”.