Antony sulmon Manchester United: Më mungoi respekti, as ‘mirëmëngjesi’ nuk më thonin

Antony ka hedhur akuza të forta ndaj Manchester United, klub ku nuk arriti të lërë gjurmë pas transferimit të bujshëm nga Ajax.

Në një intervistë për ESPN Brasil, 25-vjeçari tregoi periudhën e vështirë që kaloi në “Old Trafford”, ku sipas tij u ndje i shpërfillur dhe pa respekt.

Sulmuesi brazilian, i blerë në verën e vitit 2022 për 95 milionë euro, nuk arriti të justifikonte pritshmëritë dhe në janar të këtij viti u huazua te Betis nga trajneri Ruben Amorim.

Në merkaton e verës ai u transferua përfundimisht te klubi andaluzian për 22 milionë euro plus 3 milionë bonuse, duke shitur gjysmën e kartonit.

“Nuk dua të merrem me polemika, por ndjeva mungesë respekti nga klubi. Madje as nuk më përshëndesnin, nuk më thoshin ‘mirëmëngjesi’ apo ‘mirëdita’.

Për mua kjo është pjesë e edukatës. Sigurisht, e pranoj edhe përgjegjësinë time, sepse gjërat nuk funksionuan.

Por në Manchester, gjithçka që ndodhi jashtë fushës ndikoi edhe te performanca ime”, tha Antony.

Ai kujtoi gjithashtu periudha të vështira që kaloi, mes të cilave 40 ditë i izoluar në hotel në fillim të aventurës së tij. “Vetëm unë e di çfarë kam përjetuar.

Megjithatë, preferoj ta shoh gotën gjysmë plot. Ishte një periudhë që më ndihmoi të njihja më shumë veten”, shtoi braziliani.

Pavarësisht dështimit te United, Antony thotë se nuk ka humbur besimin në potencialin e tij: “Nuk është rastësi që kam luajtur në Botëror me Brazilin dhe se jam kthyer sërish në kombëtare. E di çfarë cilësish kam dhe çfarë mund të jap”.

Sot, te Betis, ai duket i rikthyer në formë dhe gati për të nisur një kapitull të ri në karrierë, larg hijeve të periudhës së errët në Angli.