FOTO-LAJMI/ "Trionda" - Topi zyrtar i Kupës së Botës 2026

FIFA zbuloi në Nju Jork topin zyrtar për Kupën e Botës që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026 në tri shtete, SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Topi zyrtar për Kupën e Botës 2026 paraqet një përmirësim të lehtë në kapje dhe një çip të integruar.

Topi, i pagëzuar me emrin ”Trionda”, u projektua përsëri nga prodhuesi gjerman Adidas, furnizuesi zyrtar që nga Kupa e Botës 1970.

“Jam i kënaqur dhe krenar që prezantoj Trionda-n”, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, gjatë prezantimit të topit në një aktivitet në Nju Jork.

Kupa e parë e Botës që organizohet nga tre vende, me 48 ekipe, frymëzoi si emrin ashtu edhe dizajnin e topit, i cili përmban ngjyrat e kuqe, blu dhe jeshile.

Simbolet e secilit vend pritës – gjethet e panjës së Kanadasë, shqiponja e Meksikës dhe yjet e Shteteve të Bashkuara – janë gjithashtu të paraqitura, së bashku me një trekëndësh që përfaqëson unitetin e tre vendeve.

Topi ka gjithashtu disa qepje të thella të dizajnuara për të siguruar stabilitet optimal në fluturim.

Një çip me sensor lëvizjeje do të transmetojë informacion në lidhje me lëvizjet e topit, duke dërguar të dhëna në sistemin VAR.