VIDEO/ “Drafti për menaxhimin e mbetjeve, Jaupaj: Akt themelor për të ardhmen. Opozita: Duhet të pyeten edhe ekspertët
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj prezantoi sot, në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
Në fjalën e tij Jaupaj tha se “ky projektligj është një akt themelor për të ardhmen mjedisore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë”.
“Ky dokument nuk është shkruar vetëm nga zyrat Ministrisë së Mjedisit, por është fryt i një pune 3-vjeçare intensive të kryer në bashkëpunim me ekspertë të Bashkimit Europian, me mbështetjen e programit GIZ, me asistencën e qeverisë suedeze dhe me ekspertizën financiare dhe institucionale të partnerëve të tjerë ndërkombëtarë”, theksoi Jaupaj.
Sipas tij, gjatë këtyre tre viteve janë kryer një sërë konsultimesh publike dhe tryeza ndërinstitucionale.
Ministri Jaupaj vuri në dukje se “ky pr.ligj reflekton standardet më të lartë të BE-së në përputhje me kërkesat e Kapitullit 27 për mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Kapitulli i mjedisit është një nga kapitujt më të rëndësishëm në kuadër të procesit të integrimit, detyrimet e të cilit përcaktojnë nenin 70 të Marrëveshjes të Stabilizim-Asociimit që parashikon domosdoshmërinë e legjislacionit vendas me atë europian.
Për shkak të rëndësisë që ka mbrojtja e mjedisit, MSA përmban bashkëpunimin në luftën kundër degradimit mjedisor me qëllim promovimin e qëndrueshmërisë mjedisore nëpërmjet përafrimit me fushën e mjedisit”.
“Kjo iniciativë përfaqëson një përpjekje të qartë të qeverisë shqiptare për të demonstruar angazhimin konkret në procesin e anëtarësimit”, shtoi Jaupaj.
Më tej, Jaupaj vuri në dukje se “raporti i BE-së ka theksuar nevojën për një kuadër të ri ligjor në fushën e mbetjeve duke e bërë këtë reformë një pikë kyçe për integrimin në BE”.
“Në kontekstin strategjik integrimi europian është një prioritet kombëtar, në këtë fazë negociatash ku dy javë më parë ne hapëm Klasterin 4 ku bën pjesë Kapitulli 27. Fusha e mjedisit dhe menaxhimit të integruar të mbetjeve ka pësuar ndryshime të konsiderueshme që nga viti 2011, kur është miratuar ligji i parë për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Gjatë dekadës së fundit Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit në fushën e menaxhimit të mbetjeve falë një vizioni të qartë të qeverisë për të garantuar standarde europiane në këtë sektor”, nënvizoi Jaupaj.
Jaupaj tha se në disa rajone të vendit janë ndërtuar dhe janë vënë në funksion disa landfille moderne, të projektuara sipas direktivave të BE-së për sigurinë mjedisore.
“Në të njëjtën kohë janë ngritur impiante të reja të trajtimit të mbetjeve. Këto investime nuk janë vetëm infrastrukturore, por dëshmi e një angazhimi për një Shqipëri më të pastër, më të gjelbër dhe më dinjitoze. Një hap tjetër i rëndësishëm është zhvillimi i impianteve të kompostimit dhe riciklimit”, tha Jaupaj.
Ministri Jaupaj u shpreh se “këto struktura jo vetëm ndihmojnë në përpunimin e mbetjeve organike dhe materialeve të riciklueshme, por kanë krijuar gjithashtu mundësi të reja për ekonominë vendase duke gjeneruar vende pune dhe duke forcuar sektorin privat. Kompostimi ka sjellë përfitime për bujqësinë duke ofruar pleh organik të përballueshëm dhe duke mbyllur ciklin e mbetjeve në mënyrë të qëndrueshme”.
Deputetët e opozitës kërkuan një seancë dëgjimore me ekspertë lidhur me këtë projektligj.
Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Ulsi Manja tha se “kolegët e opozitës kanë një kërkesë për seancë dëgjimore për këtë projektligj. Në parim, nuk jam kundër seancave dëgjimore.
Por ne jemi komision për dhënie mendimi dhe nuk është ky komisioni ku mund të zhvillohen seanca dëgjimore sa i përket substancës dhe çështjeve teknike që kanë të bëjnë me projektligjin.
Për këtë arsye konferenca e kryetarëve ka caktuar një komision tjetër që është përgjegjës për këtë projektligj, i cili duhet të zhvillojë të gjitha seancat dëgjimore pse jo të qartësojë edhe kolegët për çështjet substanciale dhe teknike që kanë të bëjnë me projektligjin”.


