VIDEO/ Agim Ismaili ish-drejtori i Burgjeve në SPAK
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, është thirrur nga Prokuroria e Posaçme për t’u marrë në pyetje në lidhje me hetimet mbi hakerimin e sistemit kompjuterik të prokurorëve.
Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se thirrja e Ismailit lidhet me verifikime që po kryhen mbi sigurinë e të dhënave dhe rrjedhjen e mundshme të informacionit të ndjeshëm nga sistemet që lidhen me institucionet ligjzbatuese, përfshirë edhe ato të sistemit penitenciar.
Mësohet se në muajin prill të këtij viti, oficerët e BKH-së morën një sinjal telefonik që tregonte se dikush kishte hyrë në mënyrë të paautorizuar në rrjetin e tyre.
Ndër kompjuterët ku Arnold Rrokaj, i arrestuar për këtë ngjarje kishte akses, ishin edhe ato të prokurorëve Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini.
Këta tre hetues po punojnë mbi dosje të rëndësishme që përfshijnë raste nga krimi i organizuar deri te zyrtarët e dyshuar për korrupsion.
Nga hetimet rezultoi se autor i këtij veprimi ishte Arnold Rrokaj, i cili i kishte shpërndarë materialet e marra te Zambak Gjonaj ish zyrtar i burgut Vlorë dhe më pas te shokët dhe të njohurit e tij. Disa nga këto materiale kanë përfunduar në celularin e ish-kreut të burgjeve, Agim Ismaili, si dhe te Dritan Palnikaj, aktualisht sekretar në Ministrinë e Arsimit.

