ILD kërkon masë disiplinore për gjyqtarin në Sarandë: Vonoi zbardhjen e vendimeve
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, pas hetimeve të kryera, i propozoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë caktimin e masës disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 për qind, për një periudhë jo më të gjatë se një vit”, për magjistratin Sh. L., gjyqtar në Sarandë.
ILD njoftoi sot se nisi hetimin disiplinor ndaj magjistratit Sh. L., bazuar në 13 ankesa për vonesa në zbardhjen e vendimeve të arsyetuara nga gjyqtari.
“Raporti voluminoz i hetimit të inspektorëve të ILD-së, që ka bashkuar dy procedime dhe gjatë procesit ka ndryshuar e shtuar objekt hetimi për këtë gjyqtar, ka evidentuar vonesa të përsëritura të zbardhjes së vendimeve në tejkalim të afatit ligjor deri në 4 vite, vendime që i përkasin periudhës së viteve 2021, 2022, 2023”, njoftoi ILD.
Raporti i inspektorëve të ILD konkludon se “nga ana e magjistratit janë ndërmarrë veprime/mosveprime në shkelje të afateve procedurale civile dhe penale të arsyetimit të vendimit gjyqësor, duke tejkaluar afatet tej çdo logjike, ku mosrespektimi i afateve ligjore nuk paraqitet si episod i izoluar, por si model i përsëritur në tre vite radhazi dhe në përmasa jashtë çdo standardi ligjor dhe profesional të afateve të vonesës. Zvarritja sistematike dhe e përsëritur përtej këtyre afateve, përbën tregues të qartë të mosrespektimit të përgjegjësive funksionale”.
“Pavarësisht për sa ka parashtruar magjistrati lidhur me ngarkesën në punë dhe për gjendjen e sistemit gjyqësor, nga analiza e situatës rezulton se ai nuk ka përmbushur në mënyrë të plotë dhe të qëndrueshme detyrimet ligjore dhe funksionale që i ngarkohen për arsyetimin dhe dorëzimin në kohë të vendimeve gjyqësore”, njoftoi ILD.
Sipas ILD-së “magjistrati ka një vjetërsi në detyrë prej 5 vitesh si gjyqtar, ndërsa shkeljet disiplinore janë evidentuar në vitin e dytë, të tretë dhe të katërt të detyrës, tregues ky i eksperiencës së pakët në profesion. Por pavarësisht eksperiencës në detyrë, gjyqtari ka dëmtuar dukshëm imazhin e drejtësisë dhe besimin e publikut në të”.
“Shkelja disiplinore ka sjellë mosmarrje në kohë të produktit të pritshëm nga gjykimi i një çështjeje të caktuar, vonesa në ushtrimin e të drejtës së ankimit apo edhe vonesa të theksuara në ekzekutimin e vendimit gjyqësor, si pasojë e mosarsyetimit në kohë të vendimeve, pra një drejtësi e mohuar”, njoftoi ILD.
Sjellja e magjistratit sipas ILD-së pas kryerjes së shkeljes, pas fillimit të hetimit dhe gjatë procedimit hetimit/procedimit disiplinor ka qenë bashkëpunuese.
Sipas ILD-së veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistratit Sh. L., përbëjnë “Shkelje të rëndë disiplinore”.

