Gjyqi dhe dënimi me 5 vite i ish-presidentit Sarkozy, prokurori francez hedh poshtë pretendimet për proces të njëanshëm
Prokurori francez Jean-François Bonner ka hedhur poshtë me vendosmëri pretendimet se gjyqi ndaj ish-presidentit Nicolas Sarkozy, për financimin e paligjshëm të fushatës së tij elektorale nga Libia, është i nxitur nga urrejtja personale.
Sarkozy, i dënuar me pesë vite burg për komplot penal, ka bërë apel ndaj vendimit, por dënimi do të fillojë të ekzekutohet menjëherë.
Në një intervistë për radion RTL, kreu i prokurorisë për krimet ekonomike, Jean-François Bonner, deklaroi: “Nuk kemi asnjë urrejtje për të shprehur. Kompasi ynë është ligji, është sundimi i së drejtës.”
Këto deklarata erdhën si përgjigje ndaj Sarkozy-t, i cili pas dënimit u shpreh se “urrejtja ndaj tij nuk njeh kufij.”
Sarkozy, president i Francës në periudhën 2007-2012, u dënua javën e kaluar me pesë vite burg, pasi gjykata e gjeti fajtor për komplot penal me qëllim marrjen e fondeve për fushatën elektorale nga regjimi i Muammar Gaddafit.
Kryetarja e gjykatës, Nathalie Gavarrino, vendosi që dënimi të ekzekutohet menjëherë, pavarësisht apelimit, duke argumentuar se veprat ishin “jashtëzakonisht serioze” dhe “mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve.”
Pas shpalljes së vendimit, gjyqtarja Gavarrino, e cila udhëhoqi procesin tre mujor ndaj Sarkozy-t dhe 11 personave të tjerë, mori kërcënime për jetën dhe mesazhe që përmbanin paralajmërime për “dhunë të rëndë.” Prokuroria e Parisit ka nisur dy hetime për këto kërcënime.
