Gara për Tiranën/ Muçollari: Momenti për ndryshim, kandidati të mbështetet nga të gjitha forcat opozitare
Anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe garën për Bashkinë e Tiranës.
Sa i përket kësaj gare, Muçollari në një intervistë në Euronews, theksoi se ky është momenti për të bërë ndryshimin që të gjitha forcat opozitare të mbështesin kandidatin që do të nxjerrë PD për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës dhe 5 bashki të tjera.
“PD nuk ka dalë me një emër që ky është kandidati jonë, prandaj ka pasur të nevojshme kohën për të disktuuar me partitë e tjera, shpresojmë të kemi nje emër që të mbështetet nga të gjitha forcat opozitare. Problemin sot e kemi me mazhorancën. A ka probleme opozita? Pafund ka por nuk janë ata problemi. Problemi është mënyra se si bëhen zgjedhjet, si përdoret shteti për të manipuluar dhe vjedhur zgjedhjet, në fund të ditës është një shtet i tërë që kontrollon zgjedhjet. Kemi përballë elefantin në dhomë dhe duhet të zgjidhim çështjen si të gjunjëzojmë elefantin.
Nëse ka një moment që duhet të bëjmë ndryshimin është të dalim përtej vetes të dalë me një kandidaturë që të mbështetet nga të gjithë opozitarët”, deklaroi Muçollari.
Më tej ai theksoi se nuk ka rëndësi gjinia, se çfarë do të jetë kandidati, grua apo burrë, i rëndësishëm është fakti të jetë një kandidat i mirë.

