"Shqipëria me potencial, por dhe sfida”/ Raporti I DASH: Korrupsioni, burokracia dhe informalitet mbeten pengesë

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e biznesit në Shqipëri vlerëson potencialin ekonomik të vendit, por paralajmëron se korrupsioni, burokracia dhe informaliteti vazhdojnë të frenojnë investimet e huaja.

Shqipëria është një vend me potencial të madh ekonomik, veçanërisht në sektorin e energjisë, turizmit dhe teknologjisë. Megjithatë, pengesat burokratike, informaliteti, pasiguritë në sistemin gjyqësor dhe të drejtat pronësore shpesh dekurajojnë investitorët.

Kështu thuhet në raportin e vitit 2025 të Departamentit Amerikan të Shtetit  mbi klimën e biznesit në vend, ku theksohet se përpjekjet e qeverisë shqiptare për të tërhequr kapital të huaj janë të dukshme, por shpesh hasin pengesë tek korrupsioni, burokracia dhe mungesa e transparencës.

 “Investitorët përballen ende me procedura të paqarta dhe ndërhyrje nga pushteti vendor. Zbatimi i ligjit shpesh mbetet i paplotë, ndërsa sistemi gjyqësor i ngarkuar nuk ofron gjithmonë siguri,” – theksohet në raport. Sipas DASH, ky realitet ul besimin e bizneseve të huaja dhe krijon pasiguri në treg.

Megjithatë në luftën kundër korrupsionit vlerësohet dixhitalizmi i shërbimeve publike. Po ashtu synimi për të hapur të gjithë kapitujt e negociatave me BE brenda vitit 2025 shihet si një garanci për stabilitet dhe përmirësim të klimës së investimeve.

Qeveria ka shpallur energjinë, turizmin, industrinë përpunuese dhe teknologjinë si sektorë prioritarë, ndërsa disa projekte me rëndësi të veçantë pritet të përfitojnë statusin “strategjik”, me lehtësime fiskale dhe administrative.

Në konkluzion, raporti thekson se Shqipëria mund të tërheqë shumë më tepër investime të huaja vetëm nëse reformat në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe modernizimi i administratës publike avancojnë me ritme më të shpejta.

Për DASH, klima e biznesit në vend është një kombinim i potencialit ekonomik dhe sfidave që kërkojnë adresim të menjëhershëm.