BERZH mban në 3,5% parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) mban të pandryshuar parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë, në nivelin 3,5% për vitin 2025 dhe 2026, sipas raportit më të fundit të publikuar për Perspektivat Ekonomike Rajonale.

Në raportin e publikuar theksohet se ekonomia e Shqipërisë ka shënuar një rritje prej 4% në vitin 2024, e mbështetur kryesisht nga sektori i shërbimeve, veçanërisht turizmi, dhe ndërtimi, ndërkohë që prodhimi industrial dhe bujqësor ka pësuar rënie.

Në aspektin e shpenzimeve, sipas raportit, konsumi privat dhe investimet publike ishin faktorët kryesorë të rritjes ekonomike, ndërsa eksportet e mallrave ranë, të ndikuara nga mbiçmimi i lekut dhe kërkesa e dobët nga partnerët tregtarë europianë. Si pasojë, është regjistruar një zgjerim i deficitit të llogarisë korente.

Inflacioni mesatar në vend, theksohet në raport, ra në 2,2% gjatë vitit 2024, nga 4,8% në vitin e mëparshëm, çka i dha mundësi Bankës së Shqipërisë të ulë normën bazë të interesit nga 3,25% në fillim të vitit në 2,75%.

Më tej, raporti evidenton se sektori financiar mbeti i qëndrueshëm, me rritje të aktivitetit të kreditimit. Ndër faktorët pozitivë që mund të përshpejtojnë rritjen ekonomike përmenden vijimi i reformave strukturore, përkushtimi ndaj procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe mundësia për financime të reja nga BE.

Megjithatë, theksohet në raport, disa rreziqe të mundshme që mund të ndikojnë negativisht në ecurinë ekonomike përfshijnë rënien e kërkesës në eurozonë, një ulje të mundshme të remitancave nga emigrantët, si dhe një ngadalësim të sektorit të turizmit pas niveleve rekord të dy viteve të fundit.

Po ashtu, thuhet në raport, moti i thatë mund të ndikojë në prodhimin e energjisë dhe të çojë në shtim të importeve të energjisë, ndonëse, parashikon BERZH, kjo rrezikohet të zbutet falë rritjes së prodhimit nga burime të rinovueshme alternative.