Vaksinat antigrip shpërndahen në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin
Me nisjen e fushatës së vaksinimit antigrip prej 22 shtatorit, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, është angazhuar në shpërndarjen 280 mijë vaksinave në të gjithë qendrat shëndetësore në vend.
Jeta Deda, drejtuesja e OSHKSH-së, shprehet se nëpërmjet Institutit të Shëndetit Publik dhe njësive vendore të kujdesit shëndetësor, po bëhet shpërndarja e dozave të vaksinës antigrip.
Deda tha se “vaksinat janë të gatshme dhe të përdorshme për të gjitha qendrat shëndetësore, socio-shëndetësore dhe mjekët e familjes duke ua ofruar falas pacientëve, sidomos atyre që janë grupet e riskut”, tha Deda.
Drejtuesja e Qendrës Shëndetësore Nr.8 në Tiranë, Dr. Blerta Berberi pohoi se prej disa vitesh në këtë qendër shëndetësore kryhen disa fushata vaksinimi nga ajo antigrip, por edhe vaksina të tjera.
“Kemi filluar vaksinimin e personelit shëndetësor, ndërsa janë njoftuar qytetarët, gratë shtatzëna, fëmijët dhe të gjithë personat që paraqesin rrezik në këtë periudhë. Gjithashtu, kemi angazhuar edhe grupin e punës që do të kryejë vaksinimin në banesë. Interesimi nga ana e qytetarëve ka qenë shumë i madh, pasi ata paraqiten çdo ditë në qendër për të bërë vaksinën apo për t’u interesuar për oraret apo ditët e mundshme, për shkak të fluksit që kemi”, tha Berberi.
Për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ofron për të gjithë qytetarët mundësinë e zgjedhjes së vendit dhe kohës së vaksinimit, përmes platformës “e-Albania”.
