Ungjij të rrallë qindravjeçarë në ekspozitën unike të Muzeut të Artit Mesjetar

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, në kuadër të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore, çeli dje ekspozitën me libra dhe botime religjioze, pjesë e fondit muzeal të MKAM.

Ky koleksion ekspozohet për herë të parë nga Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar dhe në ditën e inaugurimit pati një interes të veçantë, nga komuniteti korçar, besimtarët, kleri ortodoks si dhe mediet. Ekspozita do të mund të vizitohet nga publiku përgjatë një muaji.

Drejtoresha e këtij muzeu, Fjoralba Prifti, tha për ATSH-në se, muzeu ka në koleksionin e tij 25 Ungjij të Shenjtë, të cilët iu përkasin kryesisht shek.18 – 20-të dhe shumë botime të tjera fetare si liturgji, psalme, revista, etj.

Për këtë ekspozitë janë përzgjedhur 18 ungjij, nga të cilët 6 i përkasin shekullit të 18- të, 5 prej tyre shek. të 19-të dhe një i fillimshekullit të 20-të, përkthyer në shqip nga Kostandin Kristoforidhi. Gjithashtu u ekspozuan dy libra shërbesash të përkthyera nga Fan Noli, në 1909, dhe liturgji, psalme, revista të po kësaj periudhe në gjuhën shqipe.

Fjoralba Prifti tha për ATSH-në se unike është Dhiata e Re, e cila i është dhuruar MKAM-së nga familja e Ilia Petro Bratkos. Kjo dhiatë, gjatë kohës së diktaturës është mbajtur e fshehur në bodrumin e shtëpisë së tij. Ungjilli është botuar në vitin 1879 në Shtypshkronjën e A. X. Bojadini, në Kostandinopojë. Dhiata është e shkruar në dy gjuhë: në gjuhën greke dhe në gjuhën shqipe me alfabetin e Stambollit dhe është botuar me leje të posaçme nga Ministria e Arsimit, Stamboll.

Në këtë ekspozitë mund të shihet edhe Ungjilli i Shenjtë, dhuruar nga filantropi Anastas Lakshe, Kishës së Shenjtë të Mitropolisë “Burimi Jetëdhënës” Korçë.

Ungjilli është botuar në vitin 1803 në Venedik, me kapak të praruar me Imazhet e Ungjillorëve dhe në qendër imazhin e Ngjalljes së Krishtit.

“Me vlerë të jashtëzakonshme është Ungjilli i Kishës së Ristozit, Mborje-Korçë, botim i vitit 1737, si libri më i vjetër i koleksionit dhe i shpëtuar nga djegia dhe shkatërrimi përgjatë shekujve dhe diktaturës së egër”, u shpreh drejtoresha e MKAM.