Rubio: Qëndrimi i ri i Trump ndaj Moskës u shkaktua nga përshkallëzimi rus
Vonesat e Rusisë në procesin e paqes në Ukrainë e kanë shtyrë presidentin amerikan Donald Trump të ndryshojë kurs ndaj Moskës, deklaroi dje sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Rubio tha se Trump kishte treguar “durim të jashtëzakonshëm” me shpresën për një përparim diplomatik. Por kjo jo vetëm që ka sjellë ngecje, “por kemi hyrë në një periudhë që duket si përshkallëzim i mundshëm, me disa nga numrat historikisht më të lartë të sulmeve që kemi parë netët e fundit”, u shpreh ai.
“Tani po shohim gjithashtu shkelje të hapësirës ajrore të vendeve fqinje si me dronë, ashtu edhe me avionë”, shtoi Rubio.
Ai paralajmëroi Moskën me sanksione të mundshme ekonomike dhe nënvizoi se Uashingtoni mund të vazhdojë furnizimin me armë për Kievin.
“Presidenti është një njeri shumë i duruar. Ai është i përkushtuar për paqen, por durimi i tij nuk është i pafund”, tha Rubio.
“Ashtu siç e ka thënë shpesh, ai ka përpara mundësinë dhe opsionet për të vendosur kosto ekonomike shtesë ndaj Federatës Ruse nëse është e nevojshme për t’i dhënë fund kësaj”, shtoi ai.

