Studim alarmant: 62 mijë vd*kje nga nxehtësia ekstreme në Evropë gjatë verës 2024, Cili vend u godit më rëndë?
Pellgu i Mesdheut dhe rajonet juglindore të Evropës po shfaqen si epiqendra të ndikimeve më të rënda të ndryshimeve klimatike, me pasoja të rënda për shëndetin publik.
Një studim i publikuar në Nature Medicine nga Instituti i Barcelonës për Shëndetin Global (ISGlobal) tregon se 62,775 persona humbën jetën nga nxehtësia ekstreme midis 1 qershorit dhe 30 shtatorit 2024 – një rritje prej 23.6% krahasuar me verën e kaluar.
Sipas Shërbimit Klimatik Kopernikus të BE-së, vera e vitit 2024 ishte më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në kontinent.
Italia udhëhoqi listën me mbi 19,000 viktima, për shkak të temperaturave deri në 40°C dhe popullsisë së saj të moshuar.
Tek personat mbi 75 vjeç, shkalla e vdekshmërisë ishte 323% më e lartë se mesatarja e grupmoshave të tjera.
Gratë gjithashtu u prekën më shumë, me një incidencë 46.7% më të lartë se burrat.
Vendet më të prekura në Evropë (2024)
• Spanja – 6,743 vdekje
• Gjermania – 6,282
• Greqia – 5,980
• Rumania – 4,943
• Bullgaria – 3,414
• Serbia – 2,515
• Franca – 2,451
Në raport me popullsinë, Greqia kryeson me 574 vdekje për milion banorë, e ndjekur nga Bullgaria (530) dhe Serbia (379).
Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se mesatarja globale
“Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt, dyfishi i mesatares globale,” thotë Tomáš Janoš, autor kryesor i studimit.
Rajoni i Mesdheut konsiderohet tashmë një “vatër e nxehtë” e ndryshimeve klimatike me rritje të konsiderueshme të rrezikut për shëndetin.
“Valët e të nxehtit janë vrasëse të heshtura”
Ekspertët theksojnë se shumë viktima nuk raportohen, pasi nxehtësia shpesh përkeqëson sëmundje ekzistuese.
Raste si ai i Montse Aguilar, një pastruese rrugësh 51-vjeçare që vdiq gjatë punës në Barcelonë, dhe Brahim Ait El Hajjam, një punëtor ndërtimi në Itali, tregojnë dimensionin human të krizës.
Një analizë e veçantë nga Imperial College London vlerëson se ndryshimi i klimës ishte përgjegjës për 68% të vdekjeve të lidhura me nxehtësinë vetëm këtë verë, duke rritur temperaturat deri në 3.6°C mbi normën.
Zgjidhjet urgjente
Ekspertët paralajmërojnë se për të frenuar tragjeditë e verës, vendet evropiane duhet të investojnë në infrastrukturë rezistente ndaj nxehtësisë, më shumë hapësira të gjelbra urbane dhe qasje më të gjerë në sistemet e ftohjes.
Vetëm 20% e familjeve evropiane kanë ajër të kondicionuar, krahasuar me gati 90% në SHBA.
Ky studim shton presionin mbi qeveritë evropiane për të marrë masa konkrete, ndërsa valët e të nxehtit po kthehen në një nga rreziqet më të mëdha për jetën njerëzore në kontinent.
