Gjermania paralajmëron kundër kurthit rus të përshkallëzimit të situatës
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius lëshoi një paralajmërim kundër përgjigjeve ushtarake ndaj shkeljeve të hapësirës ajrore ruse, duke i quajtur këto një kurth, ndërsa u takua me ministrin suedez të Mbrojtjes, Pal Jonson.
Pistorius e përshkroi këtë si një “kurth përshkallëzimi”, duke thënë “ne nuk do t’i bëjmë atë favor presidentit rus, Vladimir Putin”.
Ai po i referohej një vale shkeljesh provokuese të hapësirës ajrore të vendeve anëtare të NATO-s që kanë zemëruar vendet e prekura.
Pistorius vuri në dukje se incidentet nuk kishin përfshirë ende agresion të dukshëm.
“Por, ky është një parakusht për ndërhyrje kinetike, fizike”, tha ai duke iu referuar thirrjeve për të rrëzuar avionët rusë që shkelin hapësirën ajrore.
“Dhe kjo është arsyeja pse duhet ta themi shumë qartë se nuk do të lejojmë veten të provokohemi, por jemi atje. Do të monitorojmë nga afër atë që ndodh dhe do t’i shoqërojmë ata jashtë. Tolerantë dhe të durueshëm, por duke e bërë të qartë se jemi atje dhe mund të bëjmë më shumë në çdo kohë”.
”Pilotët e ‘Eurofighter’ dhe pilotët luftarakë suedezë mund të mbrojnë hapësirën e tyre ajrore në çdo kohë. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë, dhe është e qartë edhe për Rusinë”, theksoi ai.
Ai tha se maturia dhe forca nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por i përkasin njëra-tjetrës.
Lidhur me përforcimet e pranisë së NATO-s në krahun lindor, Jonson tha se tani është koha për solidaritet dhe veprim praktik.
Pistorius tha se pas çmontimit të planifikuar të avionit të zbulimit AWACS, Berlini po shqyrton avionin e paralajmërimit të hershëm ”GlobalEye” të ndërtuar nga ”Saab”.
“Po, ky është gjithashtu një opsion për Gjermaninë”, tha ai.
“Ne po punojmë për këtë. Nuk kemi marrë ende një vendim, por do të thoja se është në pozicionin e duhur, për ta thënë me kujdes”, theksoi Pistorius.

