Takimi i Dumanit me ministrin Lamallari, reagimi nga PD: SPAK s'mund të jetë mekanizëm propagande
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, ka reaguar pas takimit të ministrit të ri të Drejtësisë Besfort Lamallari, me kreun e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani.
Bardhi e konsideron këtë një takim propagande, ndërsa shton se SPAK nuk ka lidhje me prioritetet e qeverisë.
“Marrëdhënia e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme SPAK me segmente të Ekzekutivit, përfshirë Ministrin e Drejtësisë, duhet të udhëhiqet vetëm nga ligji. Marrëdhënia të tilla institucionale nuk duhet të ndodhin për nevoja propagande të Ekzekutivit, sepse SPAK nuk mund të jetë mekanizëm propagande i Qeverisë, por institucioni kyç që lufton korrupsionin qeveritar dhe krimin e organizuar.
Askund, por askund nuk parashikohet se me drejtuesin e SPAK ndahen prioritetet e Qeverisë dhe aq më pak që ky i fundit dëgjon prioritetet e programit të Qeverisë. Ç’lidhje ka SPAK me prioritetet e Qeverisë së korruptuar të Edi Ramës, kur në fakt prioritet i saj duhet të jetë lufta ndaj korrupsionit qeveritar?“, shkruan Bardhi.
Ai shton se SPAK nuk është institucion nën varësinë e ekzekutivit dhe nuk duhet të sillet në publik si i tillë, sepse pavarësia e sistemit gjyqësor “duhet edhe të duket që ekziston“.
Më je, kreu i grupit parlamentar demokrat shprehet se “Kjo pozë në zyrën e Ministrit të Drejtësisë dhe njoftimi i Ministrit të Drejtësisë që ka ndarë prioritetet e programit qeverisës, është një akt propagande i pandodhur kurrë më parë.”
Ky reagim vjen pasi më herët gjatë ditës së sotme, 22 shtator, Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari ka pritur në një takim kreun e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani. Në një postim në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ministri Lamallari shprehet se ka diskutuar me Dumanin mbi prioritetet e tij në këtë detyrë në kuadër të negociatave me BE-në.
