Franca, dy ditë e “paralizuar”/ Transporti, shkollat dhe spitalet bllokohen nga protestat masive
Qindra mijëra qytetarë dolën në rrugët e Francës në ditën e dytë të protestave kundër shkurtimeve buxhetore dhe politikave të propozuara nga qeveria e kryeministrit të sapoemëruar, Sébastien Lecornu.
Tubimet u organizua nga sindikatat kryesore të vendit, të cilat kërkojnë rritje pagash, mbrojtje të pensioneve dhe investime në shërbimet publike.
Sipas ministrisë së Brendshme franceze, në protestat që u zhvilluan në më shumë se 250 qytete morën pjesë mes 600 mijë dhe 900 mijë vetë.
Në qytetet Nantes dhe Lyon pati përplasje mes protestuesve dhe policisë, ku u përdor gaz lotsjellës dhe u raportuan disa të plagosur. Deri në orët e pasdites ishin arrestuar 140 persona në mbarë vendin.
Greva ka prekur sektore të shumtë të jetës publike. Transporti publik u paralizua pasi shoferët e trenave, autobusëve dhe tramvajeve ndaluan punën.
Spitalet po punojnë me staf të reduktuar, farmacitë janë mbyllur në masë të gjerë dhe rreth një në gjashtë mësues në shkollat fillore dhe të mesme i është bashkuar grevës.
Protestuesit kërkojnë që qeveria të ndalë dhënien e lehtësive tatimore për bizneset e mëdha dhe të përqendrohet në forcimin e sistemit të ndihmës sociale, të cilin e konsiderojnë si një nga pikat më të forta të modelit francez.
Ata e akuzojnë presidentin Emmanuel Macron për thellimin e pabarazisë sociale dhe favorizimin e të pasurve në kurriz të shtresave punëtore.
Disa prej protestuesve shprehën shqetësimin për rritjen e varfërisë në vend, përfshirë raste të punëtorëve që nuk përballojnë më qiratë dhe detyrohen të flenë në makinat e tyre.
Këto protesta përbëjnë një sfidë të madhe për kryeministrin e ri Lecornu, i cili ka vetëm disa javë në dispozicion për të hartuar një projektbuxhet që të mos rrëzohet nga parlamenti, i ndarë thellë mes të majtës, të djathtës ekstreme dhe qendrës.
Ndërkohë, presidenti Macron, me vetëm 18 muaj të mbetur në mandatin e tij, ndodhet në nivelin më të ulët të popullaritetit që nga marrja e detyrës në vitin 2017.
