Fuqizimi i grave në sigurinë kibernetike, Tarran: Thelbësore për mbrojtjen e shoqërive tona
Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, zhvilluan në Tiranë, një takim me fokus fuqizimin e grave dhe vajzave në fushën e sigurisë kibernetike.
Në një njoftim për shtyp Zyra e OSBE-së në Tiranë, bën të ditur se takimi mblodhi 30 studente të cilat morën pjesë në një stërvitje praktike kibernetike, ku testuan aftësitë e tyre në skenarë realë dhe u përballën me sfida që hasen në botën digjitale. Pjesëmarrëset përfituan një përvojë të drejtpërdrejtë, duke fituar besim dhe kompetenca teknike në një sektor gjithnjë e më jetik për sigurinë dhe zhvillimin.
Takimi u hap me rrëfime motivuese nga gra të suksesshme në teknologji, si Ervina Gjana, Luanda Domi dhe Blerina Tushe, të cilat ndanë sfidat dhe arritjet e tyre në një industri ku përfaqësimi gjinor mbetet ende i ulët.
Ambasadori Michel Tarran theksoi se “siguria kibernetike nuk është vetëm çështje teknologjie, por thelbësore për mbrojtjen e shoqërive tona, rritjen ekonomike dhe të ardhmen tonë në një botë digjitale”, duke nënvizuar rolin kyç të grave në këtë transformim.
Nga ana e tij, drejtori i AKSK, Igli Tafa, bëri thirrje për rritjen e përfshirjes së vajzave dhe grave në fushën e sigurisë kibernetike, duke i inkurajuar ato të bëhen “ambasadore të ndryshimit” në një sektor me kërkesa gjithnjë në rritje për ekspertizë.
Nisma u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një komuniteti gjithëpërfshirës dhe mbështetës, ku gratë kanë mundësinë të udhëheqin dhe të formësojnë të ardhmen e teknologjisë në Shqipëri.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për të adresuar hendekun gjinor në teknologji dhe për të nxitur pjesëmarrjen aktive të grave në sigurinë digjitale.
