Talibanët ndalojnë librat e shkruar nga gratë në universitetet afgane

Qeveria talibane ka ndërmarrë një tjetër hap kufizues ndaj arsimit në Afganistan, duke ndaluar përdorimin e librave të shkruar nga gra në universitetet e vendit. Vendimi përfshin gjithashtu ndalimin e 18 lëndëve akademike, mes të cilave të drejtat e njeriut, ngacmimi seksual, dhe lëndë që lidhen me rolet gjinore dhe zhvillimin e grave në shoqëri.

Nga një listë me 680 libra të ndaluar, rreth 140 janë shkruar nga autore femra, ndërsa mbi 300 janë të autorëve iranianë ose të botuar në Iran. Autoritetet talibane pretendojnë se përmbajtja e këtyre librave bie ndesh me Sheriatin dhe politikat e sistemit të tyre.

Vendimi është lëshuar në fund të gushtit dhe është bërë publik nga Ministria e Arsimit të Lartë, duke u mbështetur në rekomandimet e një komisioni të përbërë nga “dijetarë fetarë dhe ekspertë”.

Kjo masë vjen në vazhdën e kufizimeve të shumta që talibanët kanë vendosur ndaj arsimit, veçanërisht për gratë dhe vajzat, të cilat tashmë nuk lejohen të ndjekin shkollën përtej klasës së gjashtë. Në fund të vitit 2024, edhe programet për trajnimin e mamive u mbyllën pa njoftim publik.

Akademikët vendas shprehen të shqetësuar se këto ndalime do të krijojnë boshllëqe serioze në arsimin e lartë dhe do ta izolojnë sistemin universitar afgan nga bota akademike ndërkombëtare.