Manovra të përbashkëta detare Turqi-Egjipt, për herë të parë në 13 vjet

Turqia dhe Egjipti do të zhvillojnë manovra të përbashkëta detare për herë të parë në 13 vjet, njoftoi sot Ministria turke e Mbrojtjes, ndërsa lidhjet midis dy fuqive rajonale vazhdojnë të përmirësohen, sipas AP.

Manovrat- të quajtura Deti i Miqësisë – do të zhvillohen në Mesdheun lindor midis 22-26 shtatorit. “Ato do të përfshijnë luftanijeje turke, anije sulmi të shpejtë, një nëndetëse dhe avionë luftarakë F-16, së bashku me njësitë detare egjiptiane”, tha ministria.

“Komandantët kryesorë të dy marinave pritet të marrin pjesë në një ditë vëzhguesish të nivelit të lartë më 25 shtator”, shtoi ministria, duke nënvizuar rëndësinë e manovrave pas më shumë se një dekade marrëdhëniesh të tensionuara.

Marrëdhëniet midis Egjiptit dhe Turqisë – një mbështetëse e gjatë e grupit islamist “Vëllazëria Myslimane” – u përkeqësuan një dekadë më parë pas grushtit të shtetit ushtarak të Egjiptit në vitin 2023 – që rrëzoi presidentin Mohammed Morsi, i cili vinte nga “Vëllazëria”, gjatë protestave masive kundër sundimit të tij përçarës.

Egjipti gjithashtu e nxori jashtë ligjit grupin – duke e konsideruar një organizatë terroriste. Lidhjet midis Ankarasë dhe Kajros u tensionuan gjithashtu, për shkak të politikave të tyre të ndryshme mbi Libinë dhe Mesdheun lindor.

Të dy vendet ranë dakord për rindërtimin e marrëdhënieve dhe të riemërimin e ambasadorëve në vitin 2023, dhe që atëherë ka pasur disa vizita midis udhëheqësve dhe zyrtarëve turq dhe egjiptianë.

Të dy vendet kanë mbajtur gjithashtu një qëndrim të vendosur kundër operacioneve ushtarake të Izraelit në Gazë, duke bashkëpunuar për arritjen e një armëpushimi.