EMRAT+VIDEO/ Kapet në Tiranë 28-vjeçari për tentativë vrasje, në pranga dhe bashkëpunëtori
Në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 67”, shërbimet e policisë kanë arrestuar në zonën e Astirit, Tiranë shtetasin Alban Bruçi 28 vjeç, banues në Shkodër.
28-vjeçari ishte i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bazë të një vendim të Gjykatës së Shkodrës të vitit 2024.
Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën dhe sekuestruan një shumë parash, tre celularë, një kartë SIM dhe një kartë identiteti italiane e dyshuar si e falsifikuar.
Po gjatë këtij operacioni u arrestua edhe një 37 vjeçar, shtetasi Arjan Sardi banues në Tiranë, i cili akuzohet si përkrahës i autorit të krimit. Ai shoqëronte dhe transportonte me motomjet shtetasin A. B. në momentin e kapjes nga policia. Motomjeti gjithashtu u sekuestrua si provë materiale.
Shtetasit e kapur iu dorëzuan Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër që bëri ekzekutimin e urdhrave për ndalimin e shtetasit A. B. dhe arrestimin e shtetasit A. S.. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
