Vendet e CEFTA-s po punojnë për të harmonizuar rregullat e origjinës me standardet e BE-së
Vendet anëtare të CEFTA-s (Marrëveshja për Tregti të Lirë në Europën Qendrore), po punojnë për të harmonizuar rregullat e origjinës me standardet e Bashkimit Evropian. Në kuadër të një kornize rajonale, ky proces synon thjeshtimin e procedurave doganore, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit dhe përgatitjen e tyre për pjesëmarrje të plotë në Tregun e Përbashkët Evropian.
Në Tiranë nisi sot një seminar (workshop) dyditor mbi Rregullat e Origjinës, organizuar nga vendet e CEFTA-s, në kuadër të kryesimit shqiptar të nënkomitetit për Doganat dhe Rregullat e Origjinës.
Në këtë aktivitet marrin pjesë përfaqësues të Komisionit Evropian, Doganës Shqiptare, CEFTA-s dhe ekspertë të fushës, me qëllimin për të forcuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit dhe për të ndihmuar përafrimin e tyre me tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.
Drejtori i përgjithshëm i Doganës Shqiptare, Genti Gazheli, në fjalën e tij theksoi se rregullat e origjinës janë shumë të rëndësishme për integrimin e vendeve të Ballkanit në tregun evropian. Ai u shpreh se përmirësimi i administratës doganore kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm dhe shkëmbim përvojash mes vendeve të rajonit.
Gazheli ndau edhe disa nga zhvillimet më të fundit, përfshirë një takim në Bruksel me drejtorin për Doganat në Komisionin Evropian, Matthias Petschke, ku u diskutua për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, konkretisht për Kapitullin 29 që ka të bëjë me bashkimin doganor.
Ai theksoi disa arritje gjatë kryesimit të Shqipërisë në këtë nënkomitet, si krijimi i një trupi këshillimor për klasifikimin e mallrave dhe rregullat e origjinës, si dhe ngritja e një grupi pune për Operatorët Ekonomikë të Autorizuar (AEO), kompani të cilat gëzojnë përparësi në procedurat doganore për shkak të besueshmërisë së tyre.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm që u përmend ishte Strategjia e re për Menaxhimin e Rrezikut Doganor për periudhën 2025-2028. Sipas Gazhelit, kjo strategji, e shoqëruar me një plan veprimi, synon të përmirësojë kontrollin doganor dhe të shkurtojë kohën e nevojshme për përpunimin e mallrave në doganë.
Gazheli vlerësoi mbështetjen e Komisionit Evropian dhe theksoi se bashkëpunimi me institucionet e BE-së është i domosdoshëm për të përmbushur standardet evropiane. Ai nënvizoi se rregullat e origjinës nuk janë thjesht procedura teknike, por kanë ndikim të drejtpërdrejtë në lehtësimin e tregtisë dhe në përfitimet që marrin kompanitë shqiptare që eksportojnë.
Po ashtu e cilësoi Pranvera Kastratin, drejtoreshën e re të Sekretariatit të CEFTA-s, një partnere të rëndësishme të Doganës Shqiptare.
Gjatë ditës së parë të seminarit u trajtuan disa tema të rëndësishme, si: mënyra se si vendet e rajonit mund të bashkëpunojnë për të përfituar nga rregullat e origjinës (kumulim rajonal), rastet praktike për sektorin e tekstileve, rregullat që përcaktojnë kur një produkt mund të konsiderohet “i prodhuar në një vend të caktuar”, dhe sfidat në gjurmimin e origjinës së mallrave. U diskutua gjithashtu bashkëpunimi me Turqinë dhe aplikimi i rregullave të reja që lehtësojnë qarkullimin e mallrave mes vendeve.
Seminari do të vijojë edhe nesër me diskutime të tjera teknike, që synojnë të ndihmojnë vendet e rajonit të harmonizojnë praktikat e tyre doganore dhe tregtare, në përputhje me standardet evropiane.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) është një marrëveshje rajonale gjithëpërfshirëse, e cila shërben si një komponent kyç i agjendës së paraanëtarësimit në BE. Vendet anëtare të CEFTA-s janë Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Rumania, Bullgaria, Moldavia, Serbia dhe Mali i Zi.
Zbatimi i suksesshëm i kësaj marrëveshjeje deri më sot ka ndihmuar në krijimin e një zone të tregtisë së lirë në Evropën Juglindore.
Shqipëria ka eksportuar drejt vendeve të CEFTA-s gjatë vitit 2024 mbi 2 milionë tonë mallra, me një vlerë prej 68,194 milionë lekësh.


