Rritet numri i pronave të shitura në bregdet, u nxit nga blerësit e huaj
hitjet e pasurive të paluajtshme kanë njohur rritje gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.
Sipas raportit të Institutit të Statistikave (INSTAT), indeksi i shitjeve në aktivitetin e pasurive të paluajtshme u rrit me 11,1% në tremujorin e dytë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Eksperti i pasurive të paluajtshme, Reinaldo Pipiria, në një intervistë për mediet, theksoi se niveli më i lartë i shitjeve është regjistruar në zonat bregdetare, ku vërehet një rritje e ndjeshme e kërkesës nga blerës të huaj.
“Statistikat tregojnë se blerësit kryesorë janë të huaj, qofshin shqiptarë të diasporës apo shtetas të huaj që vendosin të blejnë pronë në bregdetin shqiptar. Prandaj, vërehet se zonat bregdetare janë ato që po performojnë më mirë dhe me rritje të qëndrueshme të kërkesës”, u shpreh Pipiria.
Sipas tij, kërkesa në treg është kryesisht e orientuar drejt banesave të reja, ndërsa stoku i pronave ekzistuese mbetet në pritje të procesit të rivlerësimit.
“98% e të ardhurave të mbledhura nga transaksionet e pasurive të paluajtshme, përkatësisht nga tatimi mbi fitimin kapital, vijnë nga tatimpagues të mëdhenj, kryesisht nga sektori i ndërtimit. Kjo tregon se po shiten kryesisht banesa të reja, të cilat janë më të shtrenjta se ato ekzistuese”, theksoi ai.
Ndërkohë, qeveria ka përgatitur projektligjin e ri “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”, i cili parashikon uljen e përkohshme të tatimit nga 15% në 5%. Projektligji pritet të shqyrtohet dhe miratohet nga parlamenti i ri.
Në lidhje me këtë nismë, Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme ka propozuar që afati i zbatimit të jetë 12 muaj. Gjithashtu, ajo sugjeron që për banesat të aplikohet një normë tatimi më e ulët, prej 3%, me qëllim lehtësimin e aksesit në strehim.

