FOTO+VIDEO/ Artizanati shqiptar, i mbështetur nga Programi i Granteve të Kulturës 2025

Programi Kombëtar për Grantet e Kulturës dhe Krijimtarisë 2025 po sjell më shumë mundësi dhe mbështetje për artizanatin dhe jetën artistike në vend.

Ministri në detyrë i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot historinë e Artanit, një mjeshtër i përpunimit të drurit që ka përfituar mbështetje nga Fondi i Artizanëve 2025.

Gonxhja u shpreh se nëpërmjet këtij fondi, ruhet dhe kultivohet mjeshtërisht tradita e përpunimit të drurit.

“Punimet e tij ruajnë dhe promovojnë trashëgiminë dhe mjeshtërinë shqiptare duke i dhënë jetë traditës dhe duke e përcjellë atë brez pas brezi”, tha Gonxhja.

Artani pohoi se “ideja e këtyre punimeve ka qenë çështje pasioni”.

FOTO+VIDEO/ Artizanati shqiptar, i mbështetur nga Programi i Granteve

“Mund ta përpunosh drurin, formën që mund t’i japësh, idetë që mund të shprehësh në dru. Por, ky proces është i ndërthurur, sepse fillon që nga ideimi, skicimi, pastaj fillon përpunimi në dru.

Procesi që mua më jep kënaqësi të plotë, është lyerja”, tha ai, ndërkohë që falënderoi MEKI-n për mbështetjen që, siç shprehet Artani, i dha mundësinë për ta çuar më para pasionin ndaj gjërave që krijon.

Sakaq, nga statistikat e publikuara më herët nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, rezultojnë 275 projekte fituese gjatë këtij viti, 37% më shumë se në vitin 2024, në katër skema mbështetjeje, si festivale, ekspozita, koncerte dhe artizanat.

Llogaritet që ngjarje kulturore dhe krijuese të jenë 129 projekte; programet kulturore të organizatave janë 45 projekte, nga Fondi i Krijimtarisë rezultojnë 54 projekte dhe nga Fondi i Artizanëve, 47 projekte.

Gjatë këtij viti u është dhënë më shumë hapësirë të rinjve, mes të cilëve 51% janë përfitues për herë të parë. Ndërkohë mbështetja financiare u rrit me 141% krahasuar me 2024, duke arritur në vlerën 300 milionë lekë.