EMRAT/ Fajtorë për emigracion të paligjshëm dhe vjedhje, ekstradohen nga Italia dhe Gjermania dy të rinj

Dy shtetas shqiptarë janë ekstraduar nga Italia dhe Gjermania drejt Shqipërisë. Amarildo Luca, 29 vjeç, lindur në Dibër, u ekstradua nga Italia.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas caktimit të masës së sigurisë “Arrest në burg” nga Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Po ashtu, Francesko Berisha, 20 vjeç, lindur në Tiranë, u ekstradua nga Gjermania. Ai ishte dënuar dy herë nga Gjykata e Tiranës për vjedhje – njëherë me 8 muaj burg në vitin 2021 dhe më pas me 6 muaj burgim në vitin 2024.

Njoftimi: 

-Ekstradohet nga Italia, një 29-vjeçar i akuzuar nga GjKKO-ja, për dhënie ndihmë për emigrim të kundërligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar, ShBA-së dhe Kanadasë.

-Ekstradohet nga Gjermania, një 20-vjeçar i dënuar 2 herë, për vjedhje në kryeqytet.

Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë të specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të Interpol Romës dhe të Interpol Wiesbaden, u finalizuan procedurat e ekstradimit nga Italia dhe nga Gjermania, në Shqipëri, të shtetasve:

-A. L., 29 vjeç, lindur në Dibër, pasi në vitin 2024, Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Gjatë periudhës 2022-2024, shtetasi A. L., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, iu ka dhënë ndihmë shtetasve të ndryshëm, për kalim të kundërligjshëm të kufijve, drejt Mbretërisë së Bashkuar, ShBA-së dhe Kanadasë.

-F. B., 20 vjeç, lindur në Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar dy herë, përkatësisht me 8 muaj në vitin 2021 dhe 6 muaj burgim në vitin 2024, për veprën penale “Vjedhja”.