Kategoria Superiore/ Egnatia merr fitoren e parë, Tirana dhe Flamurtari ndajnë pikët në ‘Selman Stërmasi’

Egnatia ka siguruar sot fitoren e parë në këtë kampionat, teksa ka fituar me rezultatin minimal 1-0 përballë Bylisit në transfertë.

Në një ndeshje shumë të luftuar, rrogozhinasit kishin mundësinë të gjenin avantazhin që pjesën e parë, por Ndreca gaboi 11-metërsh.

Megjithatë, ata ia dolën në të dytën të shënonin me Ruçin dhe ai gol u mjaftoi më pas për të marrë tre pikët e plota nga kjo transfertë e për t’iu gëzuar suksesit të parë të këtij edicioni.

Ndërsa në ndeshjen tjetër, Tirana dhe Flamurtari kanë ndarë pikët pas barazimit 1-1 në “Selman Stërmasi”, në sfidën e vlefshme për javën e tretë të Superiores.

Sfida nisi menjëherë me gol për Tiranën, ku Tabeku u tregua i saktë me goditjen me kokë duke shtangur vlonjatët.

Pavarësisht shanseve të tjera për gol, pjesa e parë u mbyll 1-0.

Në pjesën e dytë gjithçka ndryshoi, pasi Sami në të 53-ën realizoi golin e barazimit për Flamurtarin.

Të dyja skuadrat e kërkuan golin e fitores por nuk ja dolën.

Pas përfundimit të javës së tretë, të dyja skuadrat kanë nga 2 pikë.