Sot, Dita Botërore e Ndihmës së Parë, një kujtesë për rëndësinë e aftësive që shpëtojnë jetë

Dita Botërore e Ndihmës së Parë është një ngjarje e përvitshme që promovon rëndësinë e ndihmës së parë dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin, që ky shërbim të shpëtojë jetë.

Kjo ditë inkurajon të gjithë që të mësojnë si të praktikojë teknikat bazë të ndihmës së parë, në mënyrë që sa më shumë njerëz të dinë ç’duhet të bëjnë në rast emergjence.

Kjo Ditë e koordinuar nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), kremtohet në mbarë botën përmes një larmie aktivitetesh, për të mundësuar që kjo ndihmë të jetë e prekshme për të gjithë. Dita Botërore e Ndihmës së Parë mbahet gjithmonë të shtunën e dytë të shtatorit, pra për këtë vit është në 13 shtator 2025.

Në këtë ditë të veçantë, theksohet se aftësitë për të ofruar ndihmë të parë janë jo vetëm të nevojshme, por edhe shpëtimtare në momente kritike. Një veprim i shpejtë dhe i saktë nga një qytetar i informuar mund të bëjë diferencën mes jetës dhe vdekjes në raste aksidenti apo urgjence shëndetësore.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), si pjesë e angazhimit të saj për sigurinë rrugore, thekson rëndësinë e trajnimeve dhe edukimit të vazhdueshëm për qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve.

Njohuritë mbi ndihmën e parë duhet të jenë pjesë përbërëse e kulturës së çdo përdoruesi të rrugës.

Nëpërmjet fushatave të ndërgjegjësimit, programeve edukative dhe bashkëpunimit me institucione partnere, DPSHTRR mbetet e përkushtuar për të ndërtuar një mjedis rrugor më të sigurt për të gjithë.