FOTO-REPORTAZHI/ “Holta” tërheq vëmendjen e të gjithëve: Kanioni, një mrekulli e natyrës
Kanioni i Holtës, i vendosur në zemër të Gramshit, është një nga atraksionet më të spikatura të turizmit natyror në vendin tonë. Ky kanion, falë bukurisë së rrallë dhe veçorive të tij gjeologjike e natyrore, tërheq mijëra vizitorë vendas e të huaj çdo vit. Ai përfaqëson një kombinim të rrallë të peizazhit të egër, biodiversitetit të pasur dhe bukurive të paprekura.
Ky destinacion mbresëlënës ndodhet rreth 80 kilometra larg Tiranës. Për të mbërritur te hyrja e kanionit, ka disa alternativa. Këtu mund të udhëtosh me automjet privat, pasi investimi në infrastrukturën rrugore ka krijuar lehtësi për të mbërritur deri në hyrje të kanionit. Aksi rrugor që lidh Cërrikun me hyrjen e kanionit është një magji më vete për shkak edhe panoramës që ofron liqeni i Banjës gjithë gjithë udhëtimit.
Një mundësi tjetër janë linjat interurbane ku fillimisht duhet të udhëtosh drejt Gramshit dhe më pas, me taksi të zonës ose mjete të dedikuara, mund të mbërrish në hyrje të kanionit, ku ndodhen edhe disa bare e restorante. Alternativa e tretë është ajo përmes agjencive turistike.
Edhe gjatë kësaj fundjave shtatori, kanioni i Holtës po vizitohej nga shumë turistë të huaj duke shijuar bukuritë dhe eksperiencën unike që ofron ky destinacion për të pasionuarit e natyrës.
Në hyrje, turistët kanë mundësi që të marrin edhe kaska mbrojtëse, por edhe guidë për të eksploruar këtë mrekulli të natyrës shqiptare.

Ajeti është një prej djemve që punon si guidë në këtë zonë dhe thotë për ATSH-në se nga viti në vit është rritur interesi për të vizituar kanionin nga e gjithë bota.
“Dhjetë vite më parë këtu nuk vinte pothuajse njeri. Vizitorët e vetëm ishin nga Gramshi apo Elbasani. Pastaj nisën të vijnë turistë nga Polonia, Çekia dhe tashmë nga e gjithë bota. Turistët e huaj përpiqemi t’i orientojmë në kanion, u tregojmë historinë e zonës dhe po ashtu i çojmë në zona apo shpella që ndryshe nuk do t’i zbulonin dot vetë”, shprehet ai.
Ajeti tregon se udhëtimi në kanion është rreth tre kilometra dhe terreni nuk është i vështirë. “Ka një ngushticë në fund të kanionit që jo të gjithë e kalojnë. Duhet të dish not pasi thellësia e ujit në atë pikë shkon mbi dy metra, por është eksperiencë unike”, shprehet ai.
Hyrja në kanion është një magji më vete. Këshillohet që nisja të realizohet rreth orës 10:30 kur uji është më i kthjellët duke e bërë eksperiencën edhe më të këndshme. Vetëm pak hapa pas hyrjes, shpatet e kanionit ngrihen deri në 100-150 metra lartësi, ndërsa thellësia e ujit në disa pjesë arrin 2-3 metra. Kanioni i Holtës është i njohur edhe për shpellat karstike dhe gropat me ujëra termale që ndodhen brenda tij. Duke hyrë në këto shpella të fshehura dhe shijuar ujërat e ngrohta termale, vizitorët mund të zbulojnë një botë të fshehur të mbizotëruar nga stalaktite dhe stalagmite.
Kanioni i Holtës sjell një ndjenjë lirie dhe harmonie me veten dhe natyrën. Është një vend ku mund të largoheni nga stresi i përditshëm dhe të bashkoheni me qiellin e pastër blu dhe ujërat e qeta të kanionit.
Mes vizitorëve gjendej edhe një çift turistësh nga Belgjika me dy fëmijë të vegjël të cilët kishin udhëtuar drejt Shqipërisë me kamper pasi ishin njohur me bukuritë e vendit tonë përmes rrjeteve sociale.

Ata e kishin vendosur kamperin në hyrje të kanionit, i pari që vizitonin në vendin tonë. “Ky është i pari dhe jemi pa fjalë. Është një mrekulli e natyrës. Një pamje që të lë pa fjalë. Uji diku i ngrohtë e diku i ftohtë, por është një eksperiencë unike. Do të vizitojmë edhe kanione të tjera”, u shprehën ata.
Turistët belgë rrëfyen se: “kemi një muaj që udhëtojmë. Prej një jave jemi në Shqipëri dhe jemi të magjepsur nga natyra. Ishim në Shkodër, në Theth ku natyra ishte fantastike. Po ashtu udhëtuam edhe në lumin e Shalës, një mrekulli. Shqipëria është një vend që ia vlen të vizitohet i gjithi. Jemi ndjerë shumë mirë, na kanë pritur me buzëqeshje. Ushqimi është i mirë dhe kushtet mjaft të kënaqshme. Do t’u themi edhe miqve tanë të vijnë dhe të shohin këtë mrekulli të natyrës. Duam t’i mësojmë fëmijët tanë ta duan natyrën”.
Më tej, u njohëm me një grup turistësh nga Çekia që kishin ardhur të vizitonin kanionin. “Kemi qenë në Nivicë, Osum, por këtu është shumë bukur. Kemi vizituar shumë vende të Shqipërisë dhe na pëlqen shumë. Kemi rreth tetë ditë këtu dhe do të vazhdojmë drejt veriut. Kemi parë që është shumë bukur dhe duam ta eksplorojmë gjithë vendin. Do t’u themi edhe miqve tanë të vijnë ta shijojnë këtë vend”, u shprehën ata.
Ndërkohë, një çift nga Kosova tha se kishin nisur turin e tyre në Theth dhe pas vizitës në kanionin e Holtës, dëshironin të zbulonin edhe kanionet e tjera. “Do udhëtojmë përgjatë jugut, do të kalojmë në Berat, Tepelenë e Përmet. Duam të shohim edhe kanionet e tjera. Na kanë thënë se edhe Korça është shumë e bukur dhe më tej do të kalojmë nga Maqedonia e Veriut për t’u kthyer në Prishtinë”, thanë ata.

Udhëtimi nga Tirana drejt këtij destinacioni zgjat rreth 90 minuta, përgjatë rrugës Tiranë-Gramsh, me hyrje pranë fshatit Gjergjovinë.
Kanioni i Holtës mbetet një ndër perlat e natyrës shqiptare ku gërshetohen bukuria, aventura dhe qetësia. Vetëm gjatë sezonit veror, Gramshi ka regjistruar mbi 100 mijë turistë, të cilët vizitojnë jo vetëm kanionin, por edhe atraksione të tjera siç është edhe ujëvara e Sotirës./ATSH – Arbi Fortuzi/


